Frrok Çupi

Dy burra kishin dalë te porta e kompanisë, të dy në pozicionin e gjuetarit. Njëri roje ‘legjendë’ e Eurosig, tjetri riosh dhe shumë agresiv. Të dy gjuanin njerëz. Kush kalonte në atë trotuar të ngushtë dhe dukej se nuk e donte Sali Berishën, do të fyhej e dhunohej prej tyre. Ai i riu i sulej njeriut në vrimë të veshit dhe ulërinte:

“Ku ka si Sali Berisha, more… Hero Berisha”.

“Po nuk keni ça i bani Berishës ju, more!’.

“Ju i bëni atë… “, dhe lëshonte fjalën më të ndyrë.

Sa largohej njeriu pesë a gjashtë metra, hollonte zërin: ‘Po me nanë e me motër kush ta ketë me Berishën!’.

“Hum, hum, hum!” i bëjnë në vesh kalimtarit.

Ngjarja e fundit ndodhi dje; ndërsa pandërprerë kjo është një zonë e vogël si ‘Gaza’ ku gjuhen gazetarë, politikanë ose njerëz normalë që mendohet se nuk janë me Berishën. Aty me sa duket është porta e çifligut ‘Berisha’ ku ruajnë ata. Ndodhet vetëm pak metra nga shtëpia e Sali Berishës tani në arrest po aty; paralel me rrugën Mustafa Matohiti, në cepin verior të çifligut; bash në kurriz të piramidës së ndërtuar për Enver Hoxhën.

Prej kohësh është bërë e ditur se vilat e vjetra të ndërtuara në kohën e Italisë, që ndodhen në atë pellg, i ka blerë Sali Berisha, por me emra të tjerë.

Ndërsa kompania Eurosig ka për pronar Kadri Morinën; menjëherë nga mbiemri e kupton se vjen nga Kukësi dhe do të jetë nga të paktët që ia mban Berishës. Pyetja vjen: Vallë pse të qenët nga Kukësi ose ndonjë fshat i Tropojës të jep të drejtën të dhunosh kalimtarë, njerëz në punë të vet, qoftë edhe kundërshtarë të Saliut?

Kadriu me të tijtë në kompani, e ka pranuar rolin e ‘qenit roje’. Ka një çudi këtu. Aq më shumë se ky është një njeri i parave, i Kukësit, por edhe i artit. Është një mik i mirë; kur ndodhet jashtë çifligut as që të shkon në mendje se bën ‘rojen e Berishës’.

Po ta shikosh Kadriun në një pronë tjetër të tij, në restaurant ‘Piaca’ të Ekrem Bardhës, atje është tjetërkush, nuk mban kamikazë, asnjë qen roje, vetë i këndshëm madje edhe me policët që arrestuan Berishën.

Ndërsa këtu ka tjetër gjë.

Kjo është zona ku sundon Berisha, sundon me armët e fundit. Dikush ka menduar se këtë e bën për të ruajtur vilat që i ka blerë me të bijtë e me fisin. Edhe ambasadën e Republikës Islamike të Iranit, e vendosi aty afër sa ishte i pari i vendit. Kjo ka sens, sepse donte që me syrin e Iranit të vëzhgonte ambasadën amerikane në qoshen tjetër të rrugës, por roje për vilat pse?

Kur Saliu del në ballkon, në instinktin e tij prej pronari me prona të vjedhura nga populli, nuk shikon revolucionin as skllevërit e revolucionit. Madje edhe natën e kanë parë që ngrihet e del në ballkon, veçanërisht natën ka frikën se i marrin pronat. Ditën ka ‘qen roje’ në krye të çdo rrugice: Rrëzë piramidës, bregut të Lanës, poshtë ballkonit ku dhunohet e drejta e qytetarëve të lirë, dhe në televizionet e tij. Të gjithë ngjallin krupë dhe shpifje për kalimtarët.

A sot u ‘ba kështu kjo punë”?, do të pyeste një Lumjan.

Sot Sali Berishës i është ngushtuara territori, kjo ka ndodhur. Dikur e shkelte në fyt gjithë Shqipërinë, tani i ka mbetur një fshat në Pukë e dy në Kukës. Tani edhe Tropojën nuk e ka më; e jo më Shkodrën. Në Shkodër i kanë mbetur një dorë njerëz që hedhin në erë shtylla dhe vjedhin gjeneratorin e katundit. Tani i ka mbetur vetëm kjo lagje me vila që kufizohet nga kompania Eurosig dhe nga selia Iraniane.

S’e ka më as portin e Durrësit, as Himarën, as Kepin e Rodonit e Porto Romanon, as Gjirin e Lalëzit… Berisha i kishte shtrirë duart larg, nga Prishtina në Beograd, nga Tetova në Shën Naum, nga Peshkëpia në Vlorë…

Jo, tani ka një copë vend që edhe nën arrest e ruan me dy- tre ‘qen roje’.