Sipas “The Guardian”, Nottingham Forest mori një penalitet me një zbritje prej katër pikësh për shkeljen e rregullave të “Fair Play”-t Financiar të Premier League, gjë që e vendos klubin në zonën e rënies. Klubi pritet ta apelojë vendimin.

Forest pranoi se kishte thyer rregullat, por e bazoi mbrojtjen e tij në rrethana lehtësuese në lidhje me shitjen e Brennan Johnson. Klubi mori një propozim prej rreth 35 milionë euro nga Brentford në fillim të verës së kaluar për anësorin, i cili preferoi të mos kalonte te ‘The Bees’.

Në të njëjtën kohë, klubi konsideroi se mund të merrte më shumë para për sulmuesin britanik, nëse priste përtej afatit të zbatuar nga rregullat e fitimit dhe qëndrueshmërisë (30 qershor).

Johnson përfundoi duke iu bashkuar Tottenhamit në shtator, për një tarifë prej rreth 55 milionë euro, por një panel i pavarur nuk e pranoi këtë mbrojtje.

Klubet e Premier League lejohen të humbasin 105 milionë £ (122 milionë €) gjatë një periudhe tre vjeçare, por humbjet e Forest ishin të kufizuara në 61 milionë £ (71 milionë €) sepse ishin dy vjet në atë periudhë në Championship.

Everton, ndërkohë ishte dënuar tashmë me një zbritje prej dhjetë pikësh në Premier League në fillim të sezonit, penalitet që së fundmi u reduktua në gjashtë pikë. Këtë të hënë priten të reja edhe për Nottingham.

Kujtojmë se që nga ardhja në divizionin më të lartë të futbollit anglez, Forest ka shpenzuar rreth 292 milionë euro për nënshkrimin e 42 lojtarëve.