Ashtu siç pritej qeveria Mitsotakis i ka mbijetuar mocionit të mosbesimit në parlament pasi 158 deputetët e grupit parlamentar të konservatorëve në fuqi dhe 1 deputet tjetër nga opozita e kanë hedhur poshtë.
Nga 300 të pranishmit në sallë votuan pro vetëm 141 ligjvënës, numër i pamjaftueshëm për të rrëzuar qeverinë.
Lideri i socialistëve grekë të Pasokut dorëzoi dy ditë më parë në parlament mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Mitsotakis të nënshkruar edhe nga tre parti të tjera opozitare, Syriza, e Majta e Re dhe Lundrimi i Lirisë.
Ky zhvillim politik me mocionin e votëbesimit ka ardhur menjëherë pas botimit të një artikulli të gazetës «To Vima» ku zbulohet se tabulatet e bisedave telefonike të përgjegjësit të stacionit të Larisës dhe makinistit të një prej trenave që janë përplasur në aksidentin fatal të Tembit me 57 viktima, janë fshirë pjesërisht dhe janë publikuar jo të plotë.
Nga ana e saj edhe partia më e madhe opozitare Syriza, nëpërmjet liderit të saj Stefanos Kasselakis, i ka bërë thirrje kryeministrit Mitsotakis të japë dorëheqjen në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohëshme me praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë. Deklaratës i është përgjigjur zëdhënësi i qeverisë duke thënë se kreu i opozitës, minοn shtetin dhe demokracinë greke që ka 50 vjet që kryen zgjedhje të lira.