Kryeministri Edi Rama, ishte sot në Elbasan, në mbledhjen e dy organizatave të Partisë Socialiste të bashkisë Elbasan, njëra urbane e tjetra rurale
Në mbledhjen ku merrnin pjesë deputetë, të zgjedhur vendorë e të deleguar të Asamblesë Kombëtare, kreu i qeverisë, njëkohësisht kreu i Partisë Socialiste, foli për nevojën e rienergjizimit të partisë dhe strukturave. Rama njoftoi se takime të tilla do të vazhdojnë në të gjithë vendin.
“Jo rastësisht unë erdha për të takuar dy organizata të Partisë Socialiste dhe jo vetëm drejtuesit, deputetët me të cilët takohemi zakonisht dhe po kështu do të shkoj në të gjithë Shqipërinë gjatë këtyre ditëve për të takuar organizatat socialiste.
Ne, falë faktit që kemi punuar seriozisht, falë faktit që jemi organizuar mirë, falë faktit që jemi angazhuar më shumë se të tjerët, kemi arritur diçka që në fillim, kur morëm këtë detyrë, dukej e pamundur. Kemi arritur që të marrim dy mandate me një shumicë të pavarur nga të tjerët
Partia Socialiste duhet të jetë në gjendje që të ruajë lidershipin, të garantojë hegjemoninë e vet në jetën politike shqiptare. Ne na duhet një rienergjizim i organizatës së Partisë Socialiste, në radhë të parë, dhe pastaj një rienergjizim i strukturave tona më lart dhe një rienergjizim i gjithë procesit qeverisës. Ne, në 2025 duhet të marrim një fitore më të madhe sesa e mëparshmja”, u shpreh Rama