Kryeministri Edi Rama përcolli sot pamje nga Spitali Universitar i Traumës që me investimet e fundit jep shërbime të shkëlqyera për pacientët duke reaguar me shpejtësi ndaj nevojave emergjente.

“Spitali Universitar i Traumës aty ku luftohet në kufijtë e jetës të pacientit e ku stafi mjekësor i Urgjencës, Kirurgjisë, Ortopedisë, Imazherisë, Konsultave, falë kushteve optimale me aparatura të fjalës së fundit përballon, trajton dhe reagon në kohë rekord ndaj politraumave”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.

Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme në këtë korpus ofron shërbimin e mjekësisë interne, shërbimin e reumatologjisë, alergologjisë, dermatologjisë dhe fizioterapisë që më parë ndodheshin në godina të tjera të QSUT, dhe së bashku me shërbimet ekzistuese, ato të gastrohepatologjisë, hematologjisë, endokrinologjisë, nefrologjisë, dializës, njësisë së kardiologjisë, hemodinamikës dhe reanimacionit të kardiologjisë kompletojnë profilin e një spitali të mirëfilltë të sëmundjeve të brendshme.

Spitali i ri i Sëmundjeve të Brendshme ka 9 salla leksioni për studentët e Mjekësisë, ku zhvillohen praktikat mjekësore, si dhe edukimi në vazhdim.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale po investon për rinovimin dhe fuqizimin e strukturave shëndetësore me pajisje biomjekësore të teknologjisë së lartë. Katër CT Scanner, 9 grafi, 1 angiograf, 4 aparatura DEXA, eko, monitorë e pajisje të tjera biomjekësore, me vlerë prej 4.2 milionë euro janë instaluar dhe janë tashmë funksionale në spitale nga veriu në jug.