Redi Molla dhe Maringlen Qato kanë reaguar mbi akuzat e SPAK pas arrestimit. Reagimi i parë ka ardhur nga Molla, ku ndaj të cilit është firmosur masë sigurie arrest në burg me pretendimin se i ka dhënë tendera kompanisë “5D Konstruksion” në të cilën sipas prokurorisë rezulton pronar. Nga ana tjetër Mariglen Qato, ish drejtori i Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Bashkinë e Tiranës ka reaguar përmes avokatit pasi GJKKO ka firmosur ndaj tij masë sigurie arrest në burg për Korrupsion pasiv dhe fshehje të pasurisë. Ai i ka mohuar akuzat, ndërsa shprehet se ka zbatuar ligjin gjatë ushtrimit të detyrës.

Reagimi i Mollës: 

“Unë Redi Molla, jam Inxhinier Ndërtimi i diplomuar në Itali, me një karrierë të gjatë në Itali dhe në Shqipëri. Për 4 vjet kam drejtuar UKT me rezultate të shkëlqyera dhe gjatë gjithë kohës që kam qenë në detyrë kam respektuar ligjet e vendit, dhe kam dhënë maksimumin tim. Sot u vura ne dijeni për akuzat e ngritura ndaj meje nga SPAK – deklaroj me bindje te plotë që për këto akuza jam i pafajshëm, dhe nuk kam asnjë lidhje interesash me kompaninë në fjalë.

Ky sulm ka nisur ndaj meje prej me shume se një viti, i frymëzuar politikisht nga PD dhe PL, dhe më vjen keq që pjesë e këtij presioni  kanë rënë jo vetëm mediat, por dhe Prokuroria. Pres që drejtësia të veprojë shpejt dhe drejtë dhe pafajësia ime te vërtetohet nga gjykata. Do vazhdoj këtë beteje në çdo instancë i bindur tek pafajësia ime”

Reagimi i Qatos

“Unë Mariglen Qato jam i pafajshëm. Nuk kam asnjë lidhje me akuzat dhe nuk kam bërë asnjë veprim të kundraligjshëm. Në ushtrimin tim të detyrës, kam punuar me përkushtim dhe kam zbatuar ne mënyrë rigoroze ligjin.

Ndjehem i keqardhur që SPAK ka rene pre e presionit politike te Ilir Metës, dhe Kelliçit qe kane nisur këtë sulm politik ndaj meje prej muajsh, pa asnjë fakt real. Mbetem besim plote qe ky proces te mbaroje sa me shpejt, drejtësia te bej punën e saj dhe e vërteta e pafajësisë time te dale ne drite.”