Është shtyrë sot seanca në lidhje me kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me revokimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie”. GJKKO ka zbuluar se arsyeja e shtyrjes ka qenë mos paraqitje e Berishës në seancë, duke shtuar se ish-kryeministri nuk ka firmosur as fletëthirrjen.
“Gjykata pasi kreu verifikimin e paraqitjes së palëve, konstatoi se nuk ishte paraqitur personalisht, kërkuesi/i hetuari Sali Berisha. Referuar akteve respektive të njoftimit të depozituara nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore, Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë, rezultoi se shtetasi nën hetim Sali Berisha, i cili ndodhet me masë sigurimi personal “arrest në shtëpi” kishte refuzuar të firmosë fletëthirrjen, dokumentuar nëpërmjet kopjes së saj, të kthyer në gjykatë, të nënshkruar nga specialistët e zonës. Gjykata ndonëse konstatoi refuzimin për të nënshkruar, e konsideroi njoftimin si të kryer. Pavarësisht dijenisë personalisht për datën dhe orën e zhvillimit të seancës së sotme gjyqësore, në kushtet që kërkuesi/i hetuari Sali Berisha ndodhet me masë sigurimi personal shtrëngues “arrest në shtëpi”, nuk rezulton vullneti i tij lidhur me të drejtën për të marrë pjesë në këtë gjykim ose jo, për sa kohë nuk mund të paraqitet si shtetas i lirë në gjykatë”, thuhet në njoftim.