– Italia është rivali i parë i Shqipërisë në Euro 2024. Kuqezinjtë e Sylvinhos do të nisin rrugëtimin emocionues në Gjermani 2024 pikërisht përballë kampionëve në fuqi të Europës. Sfidë e programuar për datën 15 qershor (21:00) në “Signal Iduna Park” të Dortmundit. Të kaltrit kanë prezantuar sot fanellat me të cilat do të garojnë në Europianin e verës së ardhshme.
Uniformat janë krijuar nga ADIDAS, partneri kryesor i kombëtares italiane. E para është e kaltër e çelur, që është edhe ngjyra historike e ekipit italian. Në jakë shkruhet: “Italia të thërret” (varg i himnit kombëtar), ndërkohë që fanella e dytë, që do të përdoret në rastin ku djemtë e Spallettit do të jenë “udhëtues”, është e bardhë.