“Jam i lumtur që jam në Arabinë Saudite dhe jam i lumtur që përfaqësoj Al Nassr. Për mua deri tani sezoni ynë është pozitiv, pasi jemi në garë në të gjitha kompeticionet.”

Këto janë mendimet dhe fjalët e Cristiano Ronaldos në prag të ndeshjes së dytë çerekfinale të Champions League Aziatike kundër Al Ain. Ish-lojtari i Juventusit dhe Real Madridit foli sot në një konferencë për shtyp dhe gjithashtu u fokusua tek skualifikimi për një gjest të turpshëm, që synonte tifozët e Al Shabab që bënin thirrje për Messin:

“Unë jam njeri dhe prandaj nuk jam perfekt, jeta bëhet me gabime, por është më mirë t’i pakësosh për t’u përmirësuar. Disa njerëz nuk i kuptojnë disa gjëra, veprimet e mia nuk kuptohen gjithmonë drejt. Ai gjest, për të cilin jam dënuar, është keqinterpretuar. Unë e respektoj vendin ku jetoj, por kjo sjellje është normale në Evropë. Kush nuk gabon? Unë nuk bëj asgjë të keqe me dashje.”