Sekretari amerikan i Shtetit, Antony J. Blinken uron të gjithë besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit.

Ambasada amerikane në Tiranë përcjell urimin që sekretari Blinken bën në emër të Departamentit të Shtetit të SHBA.

“Në emër të Departamentit të Shtetit, u uroj Gëzuar Nevruzin të gjithë atyre që festojnë këtë traditë të lashtë dhe ardhjen e pranverës. Për shekuj me radhë, bashkësi përreth botës, përfshirë në Iran, Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore dhe të Jugut, Europë dhe përtej, janë mbledhur për të festuar përtëritjen e natyrës dhe premtimin e një viti të ri. Nevruzi ofron një mundësi për të përtëritur marrëdhënie të rëndësishme, për të vlerësuar bekimet dhe për të parë përpara, drejt asaj që e ardhmja sjell. Teksa reflektojmë mbi këtë vit të shkuar, ne shpresojmë që ky vit i ri të sjellë më shumë paqe në botë, e gjithashtu shëndet, begati dhe gëzim”, thuhet në urimin e Sekretarit të Shtetit të SHBA, Antony J. Blinken.