Shantazhuesit në Shqipëri kanë pare vetëm rritje numrash duke përdorur dhe rrjetet sociale si aleatë të tyre. Piranja Kamila Xhakaj pas rastit të fundit kur priti një pedofil në redaksinë e emisionit, mori sinjalizimin e radhës në qytetin e Durrësit.
Denoncuesja nuk e njeh personin që e shantazhon, por i ka hapur adresa false me fotot e saj duke e kërcënuar hapur.
‘Më ka hapur profile fallco, ka marrë fotot e mia dhe nuk e njoh fare.
‘I shkruajta dhe e pyeta se kush është, nuk e njoh. I ka shkruajtur të gjithë njerëzve të mi, po më krijon debate në familje. Madje më ka kërcënuar dhe me jetën e djalit tim’, tha denoncuesja fillimisht.
Duke qenë se nuk njihet shantazhuesi që fshihet pas telefonit, Kamila vendos ta vërë në lojë duke i ngritur kurth së bashku me denoncuesen për ta takuar, gjithmonë dhe me asistencën e policisë.
Pas shumë tentativash për ta bindur, dhe mos pranimit dhe gënjeshtrave, shantazhuesi bindet pasi është pritur për shumë orë me radhë. Më në fund na thotë ta takojmë në Maminas.
Denoncuesja përballet në lokal me të dhe kërkon të dijë se pse i ka hapur profilet në rrjetet sociale.
Shantazhuesi nuk e argumenton dot veprimin e tij dhe mundohet të sillet ëmbël për të qetësuar situatën.
Në momentin që Françesko nuhat se ka diçka që nuk shkon, Kamila përballet me të dhe e vë me shpatulla pas murit për situatën që ka krijuar.
Policia e ndalon me njëherë dhe e shoqëron, por ajo që mësuam më pas ishte dhe më e rëndë, pasi Françesko sapo ishte liruar nga burgu për përndjekje.