Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer dërgimin e parë të ndihmave humanitare për Gazën, me më shumë se 30 mijë vakte të lëshuara me parashutë nga tre avionë ushtarakë.

Operacioni, i kryer së bashku me forcat ajrore të Jordanisë, ishte i pari nga shumë të shpallur nga presidenti Joe Biden. Ai premtoi të rrisë ndihmat, pasi të paktën 112 njerëz u vranë ndërsa turmat nxituan të merrnin ndihma të enjten.

Lëshimi ajror vjen pasi një zyrtar i lartë amerikan tha se korniza e një marrëveshjeje për një armëpushim gjashtë-javor në Gaza ishte në fuqi.

Zyrtari i administratës Biden tha të shtunën se Izraeli kishte “pak a shumë pranuar” një marrëveshje për një armëpushim të ri.

“Do të jetë një armëpushim gjashtë-javor në Gaza duke filluar nga sot nëse Hamasi pranon të lirojë kategorinë e përcaktuar të pengjeve si të sëmurët, të plagosurit, të moshuarit dhe gratë,” tha zyrtari i paidentifikuar.

Ndërmjetësuesit do të mblidhen sërish në Kajro të dielën dhe zyrtarët egjiptianë thanë se delegacionet nga Hamasi dhe Izraeli pritej të mbërrinin për negociatat.

Një zyrtar tha se disa çështje teknike rreth një marrëveshjeje të mundshme duhet ende të zgjidhen, si për shembull sa të burgosur palestinezë do të liroheshin nga Izraeli në këmbim të pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

Të shtunën, avionët e transportit C-130 hodhën më shumë se 38,000 vakte ushqimore përgjatë vijës bregdetare të Gazës, tha në një deklaratë Komanda Qendrore e SHBA.

“Këto fluturime janë pjesë e një përpjekjeje të qëndrueshme për të marrë më shumë ndihma në Gaza, duke përfshirë zgjerimin e fluksit të ndihmës përmes korridoreve tokësore”, shtoi ai.

Vende të tjera, përfshirë Britaninë e Madhe, Francën, Egjiptin dhe Jordaninë, kanë dërguar më parë ndihma në Gaza, por kjo është e para nga SHBA.

Zyrtarët e administratës thanë se “incidenti tragjik” i së enjtes kishte theksuar “rëndësinë e zgjerimit dhe mbajtjes së fluksit të ndihmës humanitare në Gaza në përgjigje të situatës së tmerrshme humanitare”.