Nga Lindita Nikolla
Aktualisht ka një sensibilitet të lartë publik, kombëtar, akademik dhe mediatik për mbrojtjen e identitetit të gjuhës dhe vlerave të kombit shqiptar, prej qëndrimeve nihiliste e ksenomane.
Ashtu siç ka edhe një sensibilitet për ekzagjerimet dhe të pavërtetat e qëndrimeve entocentrike që nuk kanë munguar të shfaqen kohët e fundit, sidomos në ekrane dhe mediat online.
Unë mendoj se të dyja janë njësoj të rrezikshme, përballë të vërtetave shkencore të provuara me argumente.
Gjuha shqipe, ashtu si çdo gjuhë letrare kombëtare e popujve të qytetëruar, është pasqyra më e qartë e kombit, si dhe e kulturës sonë të përbashkët.
Gjuha shqipe është tipar themelor i kombit shqiptar, prandaj atë duhet ta ruajmë dhe ta mbrojmë, ta shkruajmë e ta flasim sa më thjeshtë, me saktësi e sa më bukur. Natyrisht edhe ta pasurojmë e ta vlerësojmëm ashtu si të gjitha kombet e qytetëruara.
Të flasësh e të shkruash në gjuhën amtare, në gjuhën e nënës apo sikundër thuhet zakonisht “në gjuhën e të parëve”, për shumicën e popujve të botës ka qenë një nga gjërat më të natyrshme dhe të patjetërsueshme.
Por, për fat të keq, shqiptarët, gjatë historisë janë ndeshur me mjaft rrethana të krijuara nga pushtuesit apo faktorë të tjerë, të cilët si një nga mjetet për të mbajtur të sunduar apo asimiluar shqiptarët, nuk i lejonin as të hapnin shkolla shqipe.
Prandaj, historikisht, përpjekjet dhe lufta e popullit tonë për çlirim kombëtar, kanë pasur si kërkesë të parë e themelore ruajtjen e gjuhës shqipe, të drejtën për të pasur shkolla në gjuhën amtare, të drejtën për t’iu lutur Zotit në gjuhën shqipe.
Në kushtet kur gjuha shqipe ishte kaq e sulmuar apo e rrezikuar, patriotët shqiptarë i kanë kënduar gjuhës amtare, shqipes e shkronjave shqipe këngë popullore, duke filluar nga Eposi i Kreshnikëve e deri në kohët moderne.
Jo thjesht për lokalizëm, por si një dëshmi më lejoni të kujtoj disa vargje të një kënge nga krahina e Mirditës: “Se për atdhe e për gjuhë amtare, o ngrihen prapë o heronjtë ndër varre.”
Ndërkohë, yjësia e poetëve dhe e shkrimtarëve arbëreshë e shqiptarë vargjet më të përmallshme ia kanë thurur shqipes.
Kërkesa kryesore e rilindasve shqiptarë” është përmbledhur në thirrjen e Naim Frashërit: “Të nxëmë gjuhën tënë/Kombin ta ndritojmë/Gjithë ç’është e ç’ka qenë/Ngadalëz ta mësojmë.
Me të njëjtën frymë atdhetare, Atë Gjergj Fishta do ta shtrinte mallkimin e tij edhe ndaj atyre që përdorin fjalë të huaja në vend të fjalëve shqipe: “Po edhe atij ju thaftë po goja/Që në gjuhë të huej, kur s’asht nevoja/Flet e të vetën len mbas dore!”
Tashmë jemi në rrethana e kushte të tjera. Gjuha nuk kërcënohet nga armiqtë e kombit apo tendencat grabitqare të fqinjëve.
Në kushtet e globalizimit, të qarkullimit të lirë të ideve, dijeve, të përzierjes dhe bashkëjetsës së kombeve, kulturave e gjuhëve, shqipja, si të gjitha gjuhët e kombeve të vogla, po përballohet me sfida serioze.
Para nesh shtrohet pyetja: Si do të kontribuojmë që gjuha shqipe të mbijetojë në marrëdhëniet e gjuhëve të kombeve më të mëdha e të zhvilluara, të mbetet ashtu siç e dëshironin rilindasit: një gjuhë e pavdirë?
A është i mjaftueshëm konsolidimi i një legjislacioni dhe masave institucionale mbrojtëse?
Apo është e nevojshme të mbështetet ky legjislacion nga një proces kompleks të edukimit gjuhësor të të gjithë popullsisë, por sidomos të brezit të ri?
Çfarë duhet të ndryshojë në mësimdhënien e gjuhës në shkollat tona?
Çfarë duhet të ndryshojë në edukimin gjuhësor të popullsisë, sidomos të administratës publike, në mënyrë që gjuha e komunikimit zyrtar të njësohet me gjuhën letrare?
Këtu kemi ftuar ekspertë dhe unë nuk po zgjatem. Vetëm më lejoni t’ju kujtoj porosinë plot përgjërim të Naimit: “…Shqip të flisni përherë/ Fjesht e të papërzjerë”.