Shqipëria nuk do të jetë më nën monitorimin e plotë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Lajmi u dha nga ministri i Jashtëm Igli Hasani që thotë se vendimi vjen pas 29 vitesh pritje që nga anëtarësimi i Shqipërisë në këtë organizatë në vitin 1995.
Komiteti Monitorues ka vendosur të mbështesë unanimisht kalimin e Shqipërisë në fazën e dialogut të post-monitorimit.
Sipas Hasanit, ky vendim është një tregues i qartë i progresit të konsiderueshëm të Shqipërisë në forcimin e shtetit të së drejtës, të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
“Ne rikonfirmojmë përkushtimin tonë për të përmirësuar më tej standardet tona demokratike, ndërsa përparojmë në mënyrë të qëndrueshme në rrugën evropiane që qytetarët shqiptarë meritojnë”, shkruan ministri i Jashtëm.