Në sondazhin e muajit mars në Report Tv në bashkëpunim me sondazhistin e njohur Eduard Zaloshnja, u trajtuan temat më të ndjeshme për publikun, duke nisur nga negociatat për t’i dhënë fund kaosit ne Kuvend e deri tek investimet e huaja strategjike.
Një nga çështjet më të diskutuara së fundmi ishin pikërisht planet e Jared Kushner, sipërmarrësi i madh amerikan dhe dhëndri i Donald Trump, për të investuar në një projekt turistik në Ishullin e Sazanit, gjë për të cilën më shumë se gjysma e shqiptarëve janë dakord.
Nga të dhënat e sondazhit në total 56.3% e janë përgjigjur pozitivisht. Ndërkohë në total 43.7 e qytetarëve janë kundër investimeve të dhëndrit të Trump në ishullin e Sazanit.
Kthimin në normalitet të jetës parlamentare, qytetarët e shohin si një lëvizje që fiton politikisht Edi Rama. Në total 63.2% e qytetarëve të anketuar se kush fiton pikë politikisht nga kthimi në normalitet i Kuvendit mendojnë se Edi Rama, ndërsa vetëm 36.8% e qytetarëve mendojnë se fiton pikë Sali Berisha.
Të pyetur nëse kanë dijeni për mbylljen e Muzeut Kombëtar për restaurim, 64% e qytetarëve janë përgjigjur se nuk kanë aspak informacion, ndërsa vetëm 3% e tyre thonë se kanë plotësisht informacion.
Kur pyeten sesi e vlerësojnë punën e qeverisë vetëm 25.7% e qytetarëve kanë vlerësim pozitiv, 16.4% përgjigjen “anoj pozitiv”, 30.4% “anoj negativ” dhe 29.9% negative.
Akoma më i ulët është vlerësimi për opozitën, por megjithatë me një rritje të lehtë krahasuar me një muaj më parë. Të pyetur se si e vlerësoni aktivitetin e opozitës vetëm 18.6% e qytetarëve thonë pozitiv, 5.7% përgjigjen anoj pozitiv, 26.7% e tyre anoj negativisht, dhe, 49% e vlerësojnë negativisht punën e saj.
Nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot (20 mars), Partia Socialiste do të fitonte një mandat të katërt. Nëse do të votohet sot, 55.1% e zgjedhësve të vendosur për të votuar janë përgjigjur se do të votonin për Partinë Socialiste. Këto janë të dhënat e sondazhit të Report Tv në bashkëpunimin me Eduard Zaloshnja.
*Sondazhi i Report Tv në bashkëpunim me autorin e sondazheve Eduard Zaloshnja realizua me 1108 banorë të rritur nga e gjithë Shqipëria të cilët janë kontaktuar me SMS të përzgjedhur në mënyrë të rastësishme. Ndërsa marzhi i gabimit +/- 3.3 %.
Të ftuar në studion e ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga për të analizuar shifrat e sondazhit të Report Tv në bashkëpunim me sondazhistin Eduard Zaloshnja ishin Poli Hoxha, Endri Shabani dhe Lorenc Vangjeli.