Në dy muajt e parë të vitit ndodhën mesatarisht pesë aksidente rrugore çdo ditë. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në janar dhe shkurt në rrugët e vendit pati 270 aksidente. Në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë aksidentet rrugore janë rritur me 57 për qind.

“90% e aksidenteve rrugore që po ndodhin tani vijnë si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesve të mjeteve. Kemi pasur edhe disa raste ku gjendja e rrugëve, bashkë me sistemin e sinjalizimit ka qenë shkak për aksidente.”, thotë Mamir Hodo, ekspert për sigurinë rrugore. Në aksidentet rrugore të ndodhur në dy muaj e parë të vitit kanë humbur jetën ose janë plagosur 378 persona. Në raport me të njëjtën periudhë kohore të një viti më parë, numri i të dëmtuarve është rritur me 136 vetë apo 56.2 për qind.

“Më rezulton që në vijimësi, Tirana, Fieri dhe Lezha qëndrojnë në krye për numrin më të lartë të aksidenteve rrugore. Tirana sepse pjesa më e madhe e aktivitetit të lëvizjes së automjeteve zhvillohet pikërisht në kryeqytet.”, vijon Hodo.
Pjesa më e madhe e atyre që shkaktuar aksidentet rrugore muajin e shkuar rezultojnë në grup-moshën 25 deri në 34 vjeç, ndjekur nga ata 35-44 vjeç. Më të kujdesshmit rezultojnë ata mbi 60 vjeç.

“Duhet më shumë vëmendje nga strukturat shtetërore te kontrolli i atyre që përgatiten në autoshkolla. Kursanti duhet të ketë më shumë vëmendje.”, shton Hodo. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se e mërkura dhe e enjtja janë dy ditët me numrin më të lartë të aksidenteve rrugore në dy muajt e parë të vitit.