Sylvinho doli sot në konferencë për shtyp, ku shpjegoi listën e 26 kuqezinjve të publikuar një ditë më parë, me “skarcime” që kanë krijuar debate, por edhe rikthime e një prurje të re. Gjithashtu, trajneri i kuqezinjve bëri prognozën e dy miqësoreve të këtij muaji, ndaj Kilit dhe Suedisë, respektivisht më 22 dhe 25 mars:

“Kili dhe Suedia? Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme. Çdo lojtar ka historinë e ardhjes deri këtu. Është momenti që të eksperimetojmë, të provojmë sa më shumë elementë. Manaj dhe Broja? Kemi një rrugëtim përpara, do të luajmë këto dy ndeshje, në të cilat jemi shumë të përqendruar. Jam shumë i karikuar në punën time dhe në vëzhgimin e Manajt e Brojës. Duhet të rritim nivelin tonë të lojës në çdo drejtim, sepse do të përballemi në Europian me kundërshtarë të nivelit të lartë.

Zgjedhjet e Europianit do të jenë të vështira, por atë vuajtje le ta lë për muajin maj. Tani të fokusohemi te Kili dhe Suedia. Nuk e kam mendjen te lista finale e Europianit. Frikë? Jo, kurrë. Nuk kam frikë nga impakti që do të kenë lojtarët e rinj. Kombëtarja është e hapur, e kam thënë që në fillim. Nuk jemi një klub me 23-24 lojtarë, që pret merkaton për t’u përforcuar. Raporti në dhomat e zhveshjes është shumë i mirë, as që jam i shqetësuar për këtë aspekt. Kemi rastin e Hoxhës, të cilin e ndjekim prej 3 muajsh. Nuk është i vetmi, kemi ndjekur edhe lojtarë të tjerë. Dera është e hapur për të gjithë.

Muja dhe Daku jashtë? Në sulm kam shumë dhimbje koke, çka është normale për mua. Muja, Daku, por edhe Gjasula janë të rëndësishëm, i kemi në konsideratë, por nuk mund të grumbulloja 30 lojtarë për këto dy miqësore. Duhet të keni parasysh që Dakun e kam sjellë unë këtu dhe e vlerësojë shumë. Mujën gjithashtu e kam sjell unë, fakti që nuk janë në këtë grumbullim, nuk do të thotë se nuk janë pjesë e planeve tona.

Ne luajmë për popullin shqiptar, kam punuar te Brazili dhe e di se çfarë do të thotë të jesh pjesë e kombëtares. E vlerësojmë shumë konsideratën që kemi marrë dhe të gjitha vlerësimet deri tani. Duhet të shohim edhe lojtarë që vijnë për herë herë të parë me mua si Manaj, për Brojën është hera e dytë.

Hoxhën e ndiqnim prej tre muajsh, luan në të majtë. Jam i kënaqur me ekuilibrin e skuadrës në ofensive dhe në aspektin difensiv. Kemi pasur një nga mbrojtjet më të forta në kualifikuese, të gjithë kanë punuar dhe ndihmuar në fazën difensive. Lojtarin e vëzhgojmë në çdo moment të stërvitjes dhe jo vetëm në ndeshje, është një proces që nis sapo vjen lojtari në grumbullim.

Ne nuk i cilësojmë ndeshjet si miqësore, kemi kundërshtarë të fortë përballë, luajmë kundër Kilit me lojtarë të fortë si Sanchez apo Vargas. Të njëjtën mund të them edhe për Suedinë, kombëtare e fortë individualisht, me lojtarë që luajnë në klube si Manchester United, Atalanta, Tottenham. Kur punojmë për ndeshjen nuk futemi për të barazuar, por për të fituar, nuk bëj llogari. E mbaj mend në ndeshjen me Moldavinë, kur më thonin se na duhet vetëm një pikë, por nuk mendoj kështu kur futem në ndeshje.

Ne punojmë për të fituar, pastaj mund të barazojmë apo humbasim. Ajeti dhe Ismajli janë të dëmtuar, kemi folur me doktorët dhe me vetë lojtarët. Iu vjen keq, por nuk mund të rrezikojmë. Tani rikthehet Kumbulla, është Mersinaj, Veseli, duhet t’i shohim të gjithë. Punohet për të fituar, unë nuk e njoh fjalën miqësore. A do të luaj me dy sulmues, meqë janë grumbulluar shumë të tillë? Është një moment i rëndësishëm për të vëzhguar lojtarë, në kombëtare nuk mund të humbet kohë, çdo stërvitje ka rëndësi. Në çdo stërvitje provojmë, do të shohim ku lojtarët gjenden mirë me njëri-tjetrin, të shohim.

Rinovimi im? Kemi një raport shumë të mirë me federatën, por ne të gjithë mendojmë për Europianin. Ka shumë punë për të bërë, pas këtyre miqësoreve do të flasim më shumë edhe për kundërshtarët në grup. Ne mendojmë të gjithë për Europianin, nuk ka kohë për këtë çështje.

Lojtarët që nuk luajnë më rregullisht, Bajrami, Seferi, Kumbulla apo Broja, a na shqetëson kjo situatë? Nuk mund të them që jo, por kështu është jeta e një futbollisti. Sa më shumë të luajë, aq më mirë, por nuk iu them lojtarëve të ndryshojnë apo jo skuadër. Sa më shumë të luajnë, aq më mirë vijnë në kombëtare. Atyre që nuk luajnë në klube nuk kam çfarë t’iu bëj. Nuk them se nuk më shqetëson ky fakt, më shqetëson”.