Për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar është krijuar “Lidhja e Mësuesve Shqiptarë”. Më 17 mars 2024 në Londër me iniciativën e disa shoqatave: “Ardhmëria”, “Gjurmët Ilirjane”, shoqata “Drenica”, “Shoqata Akademike Shqiptare”, “Nënë Tereza”, “Arbëria”, “Bright Eagles” si edhe me pjesëmarrjen e mësuesve shqiptarë që punojnë dhe bashkëpunojnë për përhapjen e gjuhës shqipe, mbrojtjen e kulturës shqiptare, u hodh hapi më i rëndësishëm i një lidhje profesionistësh e nivelit të lartë.

Organizimi u bë në zyrat e shoqatës “Ardhmëria” nën kujdesin e veçantë të kryetarit të kësaj shoqate Lutfi Vata dhe stafit të saj. Procedura e diskutimit të statutit dhe zgjedhjet u zhvilluan në frymë meritokratike dhe me votimin e mbi 40 bashkëthemeluesëve të kësaj lidhjeje. E pranishme për të vëzhguar punën dhe zgjedhjet ishte zëvendës ambasadorja Almona Bajramaj, e cila përshëndeti lidhjen dhe përcolli mirënjohjen e shtetit shqiptar si përfaqësuese e lartë e tij në Mbretërinë e Bashkuar.

Pas diskutimeve, propozimeve, ideve u miratua dhe u votua statuti i Lidhjes së Mësuesve dhe u propozuan tre kandidatë për kryetar:Ardjana Gjoni, Lutfi Vata dhe Alda Çapia. Votimi nga 28 të pranishëm në sallën e mbledhjes, 14 online, gjithsej 42 themelues përcolli këto rezultate:

1. Kryetar z.Lutfi Vata
2. Nënkryetar znj. Ardjana Gjoni
3. Nënkryetar z. Abedin Bajraktari
4. Zëdhënëse znj. Anila Kadija

5. Sekretare znj. Adelina Hysenaj

6. Financiere Ornela Gjeta