Një delegacion nga Burgu i Manchesterit në Angli, i udhëhequr nga Drejtori Rob Knight, vizituan sot drejtorinë e burgjeve në Shqipëri.

Të pranishëm ishin Stephen Hanley, Zëvendës Drejtori i Parandalimit të Korrupsionit dhe Anti-Terrorizmit; Katie Scott, specialiste në Menaxhimin e Çështjeve; Paula Marie Dearden, Zëvendës Drejtore e Vendqëndrimeve; Philip Jones, Menaxher Operacional; dhe Keith Kruger, Menaxher i Sigurisë.

Drejtori i burgjeve, Klevis Qose shkruan se “kjo vizitë studimore e rëndësishme shënon një moment kthese në dialogun e vijuar mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar mbi sistemet penitenciare. Së bashku, ndamë përvoja të çmuara dhe praktikat më të mira, duke kultivuar kështu një mirëkuptim të ndërsjellë që tejkalon kufijtë.

Jemi veçanërisht të entuziazmuar për perspektivën e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit tonë, nënvizojmë angazhimin me këmbëngulje të Shqipërisë për përmirësim në sistemin penitenciar dhe hapjen ndaj partneritetit ndërkombëtar.
Falënderimet tona më të sinqerta për Drejtorin Rob Knight dhe ekipin e tij për këtë shkëmbim frytdhënës. Kështu dhe vetëm kështu ne mund të ndërtojmë sisteme penitenciare më të forta dhe më të qëndrueshme së bashku“.