SHBA- Autoritetet shqiptare në bashkëpunim me ato amerikane kanë arrestuar një shqiptar të quajtur Leonard Mnella, i dënuar nga Italia me 25 vjet burg, për vepra të rënda penale. Mnella kishte arritur që të deklarohej i vdekur me një vendim të një gjykate shqiptare. Ai është arrestuar në Miçigan të SHBA-ve dhe tashmë është ekstraduar drejt vendit tonë.

Njoftimi i policisë:

Tjetër operacion i suksesshëm i Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, me partnerët në agjencinë federale amerikane.

Deportohet në Shqipëri, për t’u përballur me akuzat për disa vepra të rënda penale, një 54-vjeçar në kërkim ndërkombëtar, i cili në vitin 2013 kishte arritur që nëpërmjet një vendimi gjyqësor të leshuar nga një Gjykatë shqiptare, të deklarohej i vdekur që në vitin 2003, në Amerikën Latine.

54-vjeçari, i dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane, me 25 vjet burgim, për disa vepra penale.

Departamenti i Policisë Kriminale, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë DSS/OCIU (Shërbimi Diplomatik i Sigurisë/Njësia e Hetimeve Kriminale) pranë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe me agjencinë tjetër federale amerikane DHS/ICE-ERO (Departamenti Sigurisë Kombëtare/Agjencia ligjzbatuese e Emigracionit dhe Doganave), prej disa kohesh kanë punuar së bashku për lokalizmin dhe arrestimin e shtetasit shqiptar në kërkim ndërkombëtar:

Leonard Mnella alias Leon Kolmnela alias Leonard Kolmnela, 54 vjeç.