Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e plotë të “Rrugës së Agallarëve” në Farkë, e cila i shërben jo vetëm kësaj lagjeje, por edhe 3 fshatrave të Lundrës, Farkës së Vogël dhe Farkës së Madhe, duke i lidhur ato me Unazën e Madhe dhe Tregun e ri Agroushqimor.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputetja e zonës, Frida Krifca, inspektuan përfundimin e punimeve të rrugës, e cila është pajisur me gjithë sinjalistikën e nevojshme dhe rrjetet e kanalizimeve të ujërave të bardha e të zeza. Veliaj tha se rruga e re krijon një lidhje të jashtëzakonshme të komunitetit me zonat përreth.
“Është një rruge, e cila ka qenë kërkesë e komunitetit prej 30 vitesh. Fillimisht, dua të kërkoj një ndjese sepse ka qenë një rrugë e planifikuar që në vitin 2019, por ndodhi tërmeti dhe na u desh të rialokonim disa fonde për t’ië bërë ballë asaj sfide. E planifikuam sërish, por pastaj ndodhi pandemia. Kjo është e treta e vërteta. Tani mund të them se kemi ardhur me kokën lart sepse kemi bërë një lidhje të jashtëzakonshme mes Lundrës, Farkës së Vogël, Farkës së Madhe, deri në Dajt dhe Surrel”, u shpreh Veliaj.
Ai nënvizoi se gjatë pranverës fokusi do të jetë te përmirësimi i infrastrukturës në zonat rurale. “Në këtë periudhë të pranverës jemi fokusuar te periferia. Zakonisht në Tiranën qendrore ne fokusohemi gjatë kohës së verës, kur qyteti është zbrazur, duke qenë se shumë qytetarë shkojnë me pushime. Në Tiranën rurale punohet më kollaj gjatë pranverës”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë deklaroi se falë këtyre investimeve, është rritur vlera e pronës për të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve politike. “Fakti që çmimi i pronave ka kërcyer ende pa mbaruar puna, vërteton atë që themi se kur vjen rruga, vjen zhvillimi, dhe kur vjen investimi i bashkisë, rritet vlera e pronës. Nuk ka rëndësi si kanë votuar njerëzit, edhe pse unë jam shumë mirënjohës për mbështetjen masive që kemi marrë në Farkë, Petrelë edhe Bërzhitë. Sido që të kenë votuar, vetëm duke ndenjur në shtëpi, iu është rritur vlera e shtëpisë. Kemi takuar njerëz nga Dibra, nga Kukësi, sigurisht dhe ata që janë “den baba den” vendalinj dhe unë besoj se kjo është tamam një rrugë përbashkuese e të gjithëve”, nënvizoi ai.