Kombëtarja shqiptare nisi sot përgatitjet për dy ndeshjet miqësore ndaj Kilit (22 mars, ‘Ennio Tardini’, 20:45) dhe Suedisë (25 mars, ‘Friends Arena’, 19:00).
Kuqezinjtë zhvilluan pasditen e sotme seancën e parë stërvitore në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’, ku fillimisht punuan në palestër. Më pas dolën në fushën e lojës, ku zhvilluan edhe stërvitjen e parë zyrtare.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se në këtë seancë të parë, nën drejtimin e trajnerit Sylvinho janë stërvitur 24 lojtarë, një pjesë e të cilëve morën ngarkesë të plotë fizike.
Ndërsa lojtarët që kanë luajtur dje në kampionatet përkatëse, u stërvitën veçmas. Në bashkëpunim me ekipin kombëtar U21, kuqezinjtë zhvilluan një seancë stërvitore të përbashkët.
Qazim Laçi dhe Naser Aliji do të bashkohen gjatë mbrëmjes me ekipin kuqezi, me lojtarët që do të marrin pjesë rregullisht në seancën e radhës stërvitore që do të zhvillohet të martën. Kombëtarja do të qëndrojë në Tiranë deri të enjten në mëngjes për t’u nisur më pas drejt Italisë.
Ku pasdite do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore në kuadër të ndeshjes me Kilin, që do të luhet në stadiumin ‘Ennio Tardini’.