Parlamenti i Brazilit hapi të martën një hetim të ri për manipulimin e ndeshjeve të futbollit në vend, një vit pasi një hetim çoi në padi ndaj 26 personave, ku ishin të përfshirë edhe lojtarë.
Senati, dhoma e lartë e Kongresit Brazilian, filloi hetimin pas një kërkese të bërë javën e kaluar nga senatori Romário de Souza Faria, ish-futbollist dhe fitues i Kupës së Botës 1994.
Një hetim i ngjashëm në Dhomën e Deputetëve, dhoma e ulët e parlamentit të Brazilit, përfundoi gjashtë muaj më parë, pa u miratuar një raport përfundimtar.
Romário tha se hetimi i Senatit duhet të përdorë si referencë një raport të fundit të publikuar nga kompania e teknologjisë ‘SportRadar’, e cila vendosi 109 ndeshje të luajtura në Brazil në vitin 2023 nën dyshimin për trukim ndeshjesh.
Hetimi, i udhëhequr nga Ministria Publike në shtetin e Goias, në Brazilin qendror, është ende në vazhdim, por tashmë ka çuar në padinë e 26 personave, duke përfshirë lojtarë, biznesmenë dhe drejtues klubesh.
Prokurorët pretendojnë se lojtarët e dy divizioneve të para të futbollit brazilian do të kenë marrë deri në 20 mijë dollarë (18.300 euro) nga grupet kriminale për të kryer veprime specifike gjatë ndeshjeve, si marrja e kartonëve të verdhë dhe dhënien e dënimeve të mëdha.
Disa lojtarë të akuzuar për përfshirje në skemë janë pezulluar që atëherë. Prokurori përgjegjës për çështjen, Fernando Cesconetto, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press në maj, se ai kishte zbuluar prova të parregullsive të kryera nga lojtarë jashtë Brazilit.
Cesconetto tha se rasti i Max Alves, një lojtar i Kolorado Rapids, nga divizioni më i lartë i futbollit të Amerikës së Veriut, i cili u përmend në hetim, mund të jetë objektivi i hetimit në Shtetet e Bashkuara.