Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, mbajti një ditë të dytë bisedimesh të martën me ministrin izraelit të mbrojtjes Yoav Gallant, në të cilat Shtetet e Bashkuara theksuan kundërshtimin ndaj një ofensive tokësore të Izraelit në Rafah.

Takimi në Shtëpinë e Bardhë erdhi një ditë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu bllokoi papritmas një delegacion izraelit që të takohej me homologët amerikanë për shkak se Shtetet e Bashkuara përmes abstenimit lejuan miratimin e një rezolute të OKB-së, e cila bënë thirrje për një armëpushim në Rripin e Gazës.

Presidenti amerikan Joe Biden po përpiqet të bindë Izraelin që të mos nisë një ofensivë tokësore në qytetin jugor të Gazës, Rafah, për shkak të kushteve të rënda humanitare atje dhe rrezikut të viktimave civile.

Rafah është vendstrehimi i fundit për rreth gjysmën e 2.3 milionë banorëve të Gazës, shumica prej të cilëve janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftimeve mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit.

Sipas autoriteteve palestineze, më shumë se 32,000 njerëz janë vrarë në Rripin e Gazës, që kur Izraeli nisi një operacion të madh ushtarak në përgjigje të vrasjes së 1,200 njerëzve në Izraelin jugor nga militantët e Hamasit më 7 tetor.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha të martën se zoti Sullivan premtoi mbështetje “të hekurt” të Shteteve të Bashkuara për Izraelin dhe se të dy zyrtarët diskutuan nevojën që Izraeli “të bëjë më shumë për të mbështetur dhe zgjeruar ndihmën humanitare në Gazë”.

“Është kritike që Izraeli të bëjë gjithçka që është e mundur për të parandaluar viktimat në mesin e civilëve dhe për të kryer operacione në mënyrë sa më strategjike dhe të saktë që të jetë e mundur dhe në operacionet e tij ushtarake të ketë si synim mbrojtjen e civilëve në Rafah”, tha ajo.

Presidenti Biden, gjatë një fjalimi në një tubim fushate në Rajli të Karolinës së Veriut, u detyrua të ndalonte për pak kohë për shkak të një grupi protestuesish, që bërtiste mbi nevojën për një rritje të ndihmës humanitare në Gazë.

“Ata kanë të drejtë. Ne duhet të kujdesemi më shumë për Gazën”, tha Presidenti Biden.

Zyrtarët amerikanë janë përpjekur për javë të tëra të negociojnë një marrëveshje, që do të mundësonte lirimin e pengjeve të sëmurë, të moshuar dhe të plagosur, që po mbahen nga Hamasi, në këmbim të një armëpushimi gjashtë-javor dhe lirimit të disa të burgosurve palestinezë.

Një zyrtar amerikan tha të hënën se është bërë përparim gjatë negociatave në ditët e fundit.