‘Vëllai im Besar Nimani u vra sot në një atentat në Bielefeld, Gjermani. Zoti e bashkoftë me ne në parajsë. Do të jem gjithmonë krenar për ty. Të dua’. Ishte ky mesazhi i vëllait të i ish-boksierit 38-vjeçar nga Kosova, ku njoftonte vdekjen e tij.
Sipas mediave gjermane, ai sapo kishte parkuar makinën dhe ishte nisur drejt një restoranti, kur dy persona iu afruan. Fillimisht mes palëve pati një debat me tone të larta. Më pas, ata hapën zjarr në drejtim të 38-vjeçarit, duke e qëlluar të paktën 10 herë. Autorët më pas u larguan nga vendngjarja në këmbë.
Policia gjermane ka nisur hetimet për ngjarjen e rëndë. Motivet momentalisht mbeten të panjohura. Sipas mediave gjermane, teksa nuk përjashtohet mundësia e përplasjes mes bandave, dyshimet e para janë se motivi ka lidhje me arsye personale.
Nimani rezulton person me disa precedentë. Babai i tre fëmijëve shpesh kishte pasur probleme me ligjin dhe numëronte disa raste sjelljesh të dhunshme.
Në vitin 2012-të, gjykata e Bielefeld e dënoi atë me 1.350 euro gjobë, pasi goditi një person në kokë. Një vit më pas, një zënkë në një restorant u përshkallëzua në përplasje të dhunshme. Më 4 gusht të 2013-s, Nimani dhe njerëzit e tij u përplasën me një grup turqish. Kjo ishte hera e dytë që mes tyre kishte përplasje.
Në rastin e dytë, ishte një shok i Nimanit që dyshohet se provokoi palën tjetër dhe pasi u përplasën me fjalë, ish-boksieri goditi njërin prej rivalëve me gotë birre në kokë.
Ata iu kundërpërgjigjën duke nxjerrë pistoletën dhe duke e lënë Nimanin të plagosur me armë zjarri. Në shkurt të 2016-s, forca të shumta policie zbarkuan në shtëpinë e ish-boksierit. I kishte marrë në telefon bashkëshortja e tij, për shkak se po ushtronte dhunë ndaj saj. Ai u arrestua pa bërë rezistencë.
Ndërsa vitin e shkuar, në makinën e 38-vjeçarit policia zbuloi një arsenal armësh, gjatë një kontrolli në Bavari. Në atë kohë, ai i tha policisë se armët i kishte për vetëmbrojtje.
Teksa nuk ka ende asnjë të arrestuar për vrasjen e tij, autoritetet kanë ndërmarrë një operacion masiv me qëllim kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë.
‘Ajo që dimë deri më tani është se viktima ndodhej në zonën pranë ‘Obernstrasse’ dhe ‘Klasingstrasse’ rreth orës 18:00. Një ose më shumë persona iu afrua dhe e qëlluan. Viktima nga Bielefeld, i cili ishte shtetas nga Kosova, vdiq në vendin e ngjarjes për shkak të plagëve të marra. Policia ka ndërmarrë një operacion në zonën e qytetit të Bielefeld. Kërkimet për autorin apo autorët vijojnë’,- tha në një deklaratë zyrtare policia e Bielefeld.
Ish-kampioni i boksit, i cili numëronte 26 fitore dhe vetëm 1 humbje, u tërhoq nga ky sport në vitin 2019. Në Gjermani kishte emigruar në vitin 1997.