Nga Ani Jaupaj/
Në shkrimin e kaluar, zbardhëm pjesërisht historinë e konteshës vjeneze, që kaloi në burgjet e Shqipërisë 10 vite të jetës së saj. Pas njohjes me Adem Balliçin, Bianka de Korvin, u transferua në Shqipëri, por nuk vonoi të akuzohej si agjente e amerikanëve e, të mbyllej pas hekurave. Spitali Psikiatrik i Elbasanit, ka qenë një tjetër tmerr për të, prej nga thuhet se doli gjysmë e vdekur. Anëtarët e familjes Balliçi, ata që kishin jetuar me Biankën, na patën treguar si e kujtonin. Një grua si ajo, e ardhur nga një jetë aristokrate, tërhiqte vëmendjen e të gjithëve në Tiranë. Por, jo vetëm këtu. Po kaq kurioze ishte jeta e saj edhe për italianët. Askush nuk diti më, se çfarë u bë me Biankën, pas largimit nga Shqipëria. Rastësia dhe lehtësia e mjeteve të informimit masiv sot, na bëri të mësonim se ç’ka ndodhur me të, në ato vite jete që i kishin mbetur. Livio Caiulo, megjithëse fare i ri, për shkak të gjyshërve të tij, ka pasur marrëdhënie mjaft miqësore me “gruan misterioze”. Livio na kontaktoi për të mësuar se ç’ishte shkruar në artikullin rreth saj që publikuam kohë më parë, të cilin për shkak të gjuhës nuk e kuptonte. Përmes këtij komunikimi, mësuam atë pjesë të panjohur të Biankës të cilën, nuk kishte mundur ta zbardhte askush. As familjet e vjetra të Tiranës, me të cilat kishte jetuar, e as familjarët e mbetur të të shoqit, Adem Balliçit.
Livio, si e keni njohur Bianka Balliçin?
Në fakt unë prej jush mësova që paska pasur këtë mbiemër, sepse e kam njohur si De Corvin. Ishte mikeshë e gjyshërve të mi nga mamaja që, megjithatë, ishin më të moshuar se ajo atë kohë, flas për vitet ’77-të. Ata nuk jetojnë më prej kohësh, madje as ime më, prandaj nuk mund t’ju them, se si mund të jenë njohur. Unë isha 16-17 vjeç, në kohën së cilës po i referohem, pra shumë i ri. Megjithatë, kishim marrëdhënie shumë të mirë, sepse edhe ajo, si unë, ishte e interesuar për çdo lloj forme të artit, që nga piktura, muzika, letërsia. Ishte një grua e gjallë dhe mjaft kurioze, për gjërat.
I pëlqente të ishte gjithnjë e informuar, sidomos sa i përkiste situatës politike e sociale të kohës. Italia i pëlqente shumë dhe i konsideronte italianët mjaft të zotët, sa i përket kreativitetit. I ndiqte me mjaft vëmendje lëvizjet politike të të rinjve nëpër protesta a, manifestime të kohërave. Ishte tip i afrueshëm me njerëzit, komunikonte me të gjithë dhe pëlqente të ndante mendime të vetat, për çdo lloj argumenti. Ndihmonte të tjerët e, dhuronte aq pak sa mundte…!
A kishte të ardhura të mjaftueshme për të dhuruar? Po t’i referohemi kohës kur ka jetuar në Itali, ka qenë e moshuar, nuk mund të punonte…! Me çfarë jetonte?
Në fakt, thoshte se kishte të afërm shumë të varfër, sidomos dy motrat e saj, që jetonin njëra në Zagreb e tjetra në Argjentinë, së cilës i dërgonte disa ndihma të vogla ekonomike. Përveç të tjerash, thoshte se në vendet komuniste, nuk kishte as kafe, as mish dhe as xhinse dhe se ajo, kur mundte, u dërgonte miqve të saj që jetonin në këto vende, gjëra që u mungonin. Sipas saj, regjimi komunist po humbiste pike, krahasuar me të djathtën që po progresonte atyre kohërave duke nisur nga Greqia. Për të mbajtur njëfarë standardi jetese dhe për t’iu gjendur njerëzve të afërt, shiste piktura dhe objekte antike që kishte në shtëpi.
Ku jetonte? Si?
Jetonte në Trieste, pranë sheshit “Sant Antonio”. Thoshte se po aty kishte pas jetuar dikur me të ëmën, që quhej Colomba. Sa herë e kujtonte, qante. Jetonte në katin e dytë të një pallati. Dera e jashtme e shtëpisë, kujtoj që ishte mjaft e vjetër, e dëmtuar, nuk mbyllej plotësisht. Brenda ishte një korridor i errët me një mobilie të vjetëruar dhe me një abazhur kinez antik, që bënte fare pak dritë. Në të majtë të hyrjes së apartamentit, ishte kuzhina me disa mobilie të kuqe, që ajo vetë i kishte pikturuar.
Në mure kishte disa piktura mjaft të bukura, që duhet të ishin të 1900-ës. Kujtoj që kishte disa objekte të vjetra, të sjella nga Turqia. Edhe mobiliet e sallonit, ishin të ardhura prej andej. Në tualet kishte një vaskë mermeri, me këmbë luani. Në dhomë të gjumit, kishte shumë piktura të tjera, disa prej të cilave të pikturuara nga ajo vetë. Kishte ende shumë të papërfunduara. Në sallonin e ndenjjes, kujtoj që kishte fotografi nëpër korniza, mes të cilave, kishte dalë me të shoqin, motrat dhe prindërit.
Ishte një divan me jastëkë të qëndisur nga e ëma dhe mobilie të stilit barok. Ajo që binte menjëherë në sy, ishte pasqyra e lartë me motive të kohës së Luigjit XV-të. Më vjen ndërmend edhe një pikturë e 1700-ës, portreti i një burri me uniformë të bardhë, që i ngjante mjaft. Në mos gaboj, në shtëpi ishte edhe një piano e vjetër. Megjithatë, pavarësisht objekteve, disa prej të cilave, ato që ishin shitur, kishin lënë vend bosh në shtëpi, shtëpia ishte e rrëmujshme, e lënë pas dore. Ajo ishte e vetëdijshme, për këtë.
Nuk kishte asnjë të afërm, një njeri që ta ndihmonte?
Thoshte se kishte një grua për pastrimet, por dyshoj të ishte e vërtetë. Shtonte gjithashtu se hera-herës, i vinte një asistente sociale e komunës, për të parë se si ishte, kjo mund të ishte e vërtetë. Largohej shpesh nga Trieste, sepse udhëtonte shumë, por nuk tregonte ku shkonte, përveç ndonjë rasti të rrallë. Në Romë shkonte me siguri. Shumë shpesh. Kishte të njohur e miq, priftërinj e aristokratë të varfër, madje disa, në limitet e varfërisë.
Njihte, sipas asaj çfarë thoshte, mjaft piktorë, shkrimtarë, aktorë, të famshëm të atyre kohërave, tashmë të vdekur. Frekuentonte edhe babain e avokatit, me të cilin vdiq në aksidentin e ’85-ës. Në Trieste gjendej mirë, shkonte shpesh në kafenenë “Duchi d’Aoste”, “Specchi” dhe “Tommaseo”, nën shoqërinë e disa grave të tjera të moshuara. Kohën e kalonte më së shumti duke lexuar, shkruar e pikturuar. Më fliste edhe për një profesor anglez, që i vinte shpesh në shtëpi.
A ju ka folur ndonjëherë për vitet që ka kaluar në Shqipëri. Sado që, me siguri, kanë qenë vitet e saj më të këqija, si e burgosur dhe akuzuar “agjente e amerikanëve”. A përmendte gjë nga të gjitha këto?
Lajmi për vdekjen e konteshës De Korvin, në gazetat italiane, në vitin 1986, pas aksidentit të rëndë për shkak të dëborës në Zagreb. Në atë aksident u përplasën rreth 7 makina, dhe pati disa të vdekurMë vjen keq tani që mësoj nga ju për periudhën e gjatë të vuajtjeve, por di të them se vitet e fundit të jetës së saj, kanë qenë të qeta, edhe pse ajo gjithnjë kishte një farë ankthi sepse, i dukej sikur nuk do të arrinte të bënte disa gjëra, për të cilat nuk donte të fliste, duhej të shkonte, të ikte të kthehej…! Këtë gjë nuk e kam kuptuar. Në këtë pikë po, ishte një grua misterioze, por e mirë. Besonte mjaft në Zot dhe këtë gjë, ua thoshte edhe të tjerëve.
Për faktin në ishte apo jo spiune, apo qoftë edhe të ishte akuzuar për këtë, nuk di asgjë. Ajo nuk linte të kuptohej asgjë. Asgjë. Për kohën që ka kaluar në Shqipëri, nuk tha kurrë asnjë fjali të vetme. Të paktën jo me mua, sado që e takoja shpesh sepse, duhet të kujdesesha për gjyshërit e, më takonte të rrija gjatë me ta. Sa herë që e shihja të vetmuar e të lodhur, i thosha të më telefononte, për çdo nevojë që mund të kishte. Kisha lënë në murin e kuzhinës së saj, numrin e telefonit tim, por ajo refuzonte ndihmë nga kushdo.
Në Shqipëri u tha se ndenji për një kohë të gjatë në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit, prej nga doli gati e vdekur. Nëse ka qenë kështu, duhet të kenë ngelur te ajo patjetër, pasoja të dukshme…?!
Në pjesën më të madhe të kohës, ishte e kthjellët, por sigurisht harronte shpesh gjëra, ose i ngatërronte me të tjera. Më përgjigjej në gjuhë që nuk i njihja. Por këtë, unë, e justifikoja më shumë me moshën, ishte gati 80 vjeçe atëherë, dhe më dukej normale. Pastaj, nëse disa prej diskutimeve ishin fryt i fantazisë së saj, këtë gjë nuk e di. Nuk më dukej e çekuilibruar.
Ishte mjaft origjinale, jashtë së zakonshmes, pra ndryshe nga të tjerët. Disa miq të mi, e konsideronin pak të “çmendur” ose, sidoqoftë, të çuditshme. Ishte shumë e veçantë në mënyrën se si lëvizte, ecte, fliste. Një grua e pazakontë, dukej si krijim i fantazisë. Më dukej shpesh si një njeri që kishte vdekur dikur e kishte ardhur sërish në tokë për një vizitë të shkurtër.
Ç’biseda ose, ç’kujtime i ngelen një 17-vjeçari, nga koha që ndan me një grua të moshuar?
Shkoja shpesh në shtëpinë e saj, më përgatiste kafe turke, të cilën e ziente tri herë dhe më pas e kthente. Sa herë përfundonte së piri kafen, shtonte se në fund të filxhanit, mund të lexosh të ardhmen tënde, çka ajo vetë e bënte. Ndonjëherë më ofronte edhe pije, sidomos një konjak special, që e preferonte. Konsumonte shumë dateri, të preferuarat e saj. Ishte shumë xhentile, por edhe me karakter të ashpër. Një herë, i çova një tufë me lule dhe m’u kthye e inatosur: “Nuk mund t’i pranoj në mënyrë absolute! Jepja të dashurës tënde”!.
Por, ndërsa e tha këtë me fytyrë të vrenjtur, i rrodhën lot në faqe. I vëzhgonte njerëzit me kujdes dhe vlerësonte te ta edhe detajet më të vogla. “Dashurohem me çdo të ri që takoj! Ky duhet të jetë perëndimi im”! përsëriste. Në katin sipër saj, banonte një familje me shumë fëmijë, të cilëve u çonte vazhdimisht karamele. U trokiste në derë dhe u thoshte: “Jam unë, kontesha”! Kjo gjë, mua më bënte përherë për të qeshur, sepse dukej tepër krenare për këtë, sado që nuk i thoshte gjërat dhe aq seriozisht. Kishte ironi, mjaft të hollë.
Po për jetën e saj të mëparshme çfarë tregonte? Kohën kur ka qenë konteshë…
Tregonte se vinte nga një familje hungareze-boshnjake perandorësh. Më herët akoma, nga një perandor roman, Flavio Corvino. Kishte lindur në Turqi. Kishte jetuar në Rusi përpara revolucionit dhe se, sado që shumë e vogël, kishte takuar Carin Romanov. Kishte pasur një gjysh anglez dhe kishte jetuar në Vjenë, prej nga më vonë ishte transferuar në Romë, për të studiuar në një kolegj murgeshash. Në këtë kolegj, ishin 20 kontesha dhe 7 princesha dhe se ato të parat, sa herë kalonin princeshat, duhet të ulnin kokën.
Në shtëpi e thërrisnin Blanche (jo Bianka), sepse në fillim të 1900-ës përdorej gjuha franceze. Në shtëpinë e saj, shkollimi e kultura në përgjithësi, ishin gjëja më e rëndësishme. Kishte të afërm në Kanë dhe në Montekarlo, të cilët shkonte i vizitonte. Më pas, u martua me kontin Giustiniani, të cilin sipas saj e kishte dashur shumë, por kishte vdekur. Në ato kohë, thoshte se bënte jetë mjaft kapriçoze, ishte sqimatare për çdo gjë. Dëshironte luksin, kishte disa qen race, peliçe me lëkurë struci, shtëpi e makinë të kushtueshme. Më tregonte unazën që mbante në gisht, me stemën e Giustinianit.
Në fakt, tregonte ngjarje të ndryshme nga familja, e sidomos për udhëtimet e shpeshta nëpër Europë, madje deri në Singapor. Kishte frekuentuar shumë kazinotë, i pëlqente të luante në ruletë. Njihte mjaft gjuhë të huaja. Një ditë, përktheu në italisht, disa faqe të një traktati pikture të 1760-ës që kishte në shtëpi dhe që ishte shkruar në gjermanishten gotike. Aty thuhej se përgatitja e ngjyrave, bëhej duke përdorur vezë, insekte, pluhura të ndryshme, madje edhe me lëkurën e iguanave.
Si mësuat për vdekjen e saj?
Në 1986-ën, kohën kur ndodhi aksidenti me makinë, pa ditur gjë, shkova të shtëpia e saj e, meqë nuk e gjeta, pyeta fqinjët të cilët më thane, se kishte vdekur në një aksident automobilistik. Në ato çaste, më erdhi ndër mend se Bianka, nuk kishte frikë nga vdekja: “Siç kanë vdekur mijëra njerëz, do vdes edhe unë. Nuk kam bërë asgjë të keqe, nuk kam vjedhur, nuk kam vrarë askënd, do të vdes e qetë” – më pati thënë një ditë. I pati dhembur njëherë stomaku aq shumë, sa kishte thënë me vete; “Zot, jam gati, mund të më marrësh”!
Çfarë u bë me gjithë gjërat, pikturat që kishin ngelur në shtëpi?
Po, kishin ngelur shumë piktura dhe sende të vlefshme, siç ju thashë më sipër. U lidha me një përgjegjës të zonës dhe më thanë se ishin përpjekur t’i gjenin ndonjë të afërm, por nuk kishin gjetur. Kishin mundur të gjenin në Itali, një të afërm të sajin të moshuar, por ai nuk kishte dashur të bënte me asgjë të sajën. Më tha gjithashtu që pas aksidentit, dikush i kishte hyrë në shtëpi e, kishte marrë disa gjëra, sepse kishte vite që nuk paguante qiranë. Pjesën e mbetur, i nxorën në ankand. Një pjesë të madhe, i pati blerë një zonjë që jetonte në një qytet tjetër, por nuk arrita kurrë të lidhem me të.
Këto janë kujtimet e mia lidhur me Biankën, një njeri që, edhe pas atyre që më thoni, vazhdoj të kem kuriozitet. Mbi të gjitha pse nuk foli asnjëherë, për gjërat që i paskan ndodhur. Ajo që kujtoj unë, ishte grua pozitive, që përcillte vlera kristiane dhe ndihmonte tjetrin. Rekomandonte gjithnjë studimet, si të vetmen mundësi të mirë në jetë, vlerësonte edhe gjërat e vogla, artin e mendjet e ndritura. Paraja ishte e parëndësishme për të, e vlerësonte fare pak dhe këtë këshillë, ua jepte edhe të tjerëve.
Në vitet ’70-të, Trieste ishte një qytet dekadent e misterioz, kishte pak vende pune dhe kishte mjaft viktima të regjimeve të mëdha, shumë pasuri të marra fund, shumë drama, njerëz të të gjitha etnive; sllavë, armenë, hebrenj, grekë, gjermanë. Ishte qytet i hapur në det, i heshtur, tokë kufitare, dukej si një botë e hapur për të gjithë. Kishte besime të ndryshme fetare. Biankës i pëlqente kjo atmosferë e trazuar, siç e përkufizonte vetë.