Presidenti i Turqisë Recep Taip Erdogan është shprehur se Turqia është e gatshme të organizojë një takim të nivelit të lartë mes Ukrainës dhe Rusisë për t’i dhënë fund luftës. Deklarata e tij erdhi pas bisedimeve me homologun ukrainas Volodymyr Zelenskiy në Stamboll dhe shtoi se Ankaraja mbështet integritetin territorial të Kievit. Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin Zelensky, Presidenti Erdogan tha se kishte diskutuar zhvillimet në lidhje me luftën në detaje, si dhe sigurinë e lundrimit në Detin e Zi, përfshirë marrëveshjen mbi eksportet e drithërave, nga e cila Rusia u tërhoq në gusht të vitit të kaluar.

Ai tha gjithashtu se Turqia do të kontribuojë fuqishëm në rindërtimin e Ukrainës sapo të përfundojë lufta. Turqia është anëtare e NATO-s dhe ka mbështetur integritetin territorial të Ukrainës, por gjithashtu ka ruajtur marrëdhëniet e mira me Rusinë dhe flet rregullisht me të dyja palët në konflikt. Vizita e Zelenskit në Stamboll vjen përpara një vizite të pritshme të presidentit rus Vladimir Putin, për të cilën Kremlini ka thënë se do të bëhet pas zgjedhjeve të 15-17 marsit në Rusi.

Zyra e Presidentit Zelensky tha se axhenda e bisedimeve me zotin Erdogan përfshin një formulë paqeje që synon t’i japë fund luftës me Rusinë, lirimin e të burgosurve ukrainas të luftës të mbajtur nga Moska dhe marrëdhëniet dypalëshe në fushën e mbrojtjes. Në fillim të takimit, Zelensky tha rrjete sociale se Ankaraja dhe Kievi duhet të punojnë së bashku për të arritur sigurinë ushqimore dhe sigurinë e lundrimit në Detin e Zi, duke shtuar se Ukraina gjithashtu dëshironte lidhje më të forta në fushën e mbrojtjes me Turqinë dhe kishte nevojë për ndihmën e saj për të siguruar lirimin e të burgosurve.