Kryeministri Edi Rama e cilësoi shifrën e 1.7 milionë turistëve të huaj në 3 muajt e parë të vitit 2024, si një rekord për industrinë e re të mikpritjes shqiptare.

Duke publikuar shifrat e turistëve në 3 muajt e parë të vitit, Rama tha se duhet të bashkojmë forcat për shërbime publike e private të nivelit më të mirë.

“Mbi 1.7 milionë turistë të huaj na kanë vizituar gjatë tre muajve të parë të vitit 2024, duke vendosur një rekord të ri për industrinë tonë të re të mikpritjes”, shkruan Rama.

Kryeministri Rama bëri të ditur se 734 mijë vizitorë e shijuan Shqipërinë gjatë muajit mars, ose 91% më shumë se marsi i vitit të shkuar, duke shenjuar në shifra një progres të madh, të cilit duhet t’i përgjigjemi me standarde gjithnjë e më të larta mikpritjeje, duke bashkuar forcat për shërbime publike e private të nivelit më të mirë”.

Në vitin 2023 Shqipërinë e vizituan 10.1 milionë turistë.

Me një vijë bregdetare që shtrihet përgjatë detit Adriatik dhe detit Jon, Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë turistë të huaj për peizazhet e saj magjepsëse, kuzhinën e shkëlqyer dhe historinë.