70% e shqiptarëve kanë vlerësim pozitiv për kreun e SPAK Altin Dumani. Kështu deklaroi analisti Eduard Zaloshnja në një intervistë .
Zaloshnja tha se në bazë të sondazheve të kryera deri më tani, Dumani ka një mbështetje më të madhe dhe se kryeministri i vendit Edi Rama. Sipas tij, Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion tashmë shihet ndryshe për shkak të ritmit të punës dhe njerëzve që po çon para drejtësisë.
“Thjesht për Altin Dumanin unë nuk kam bërë ndonjë sondazh, njëherë që bëra ishte për personazhet e vitit të kaluar. Kjo është një traditë që bëhet që nga vitet ’20 në Amerikë dhe më rezultoi që Dumani ishte personazhi më i vlerësuar nga publiku shqiptar krahasuar me Edi Ramën që kishte gjysmën e përkrahjes së tij. Ka qenë i vetmi sondazh kur unë kam pyetur në mënyrë specifike me emër.
Për SPAK kam bërë 2-3 sondazhe këto kohët e fundit. Përkrahja aktualisht është 70% për publikun shqiptar brenda Shqipërisë. Po flas për 2 mln banorë të rritur që nga sondazhet online apo të barometrit, duke i mesatarizuar kuotat e tyre, jemi te niveli 70% që kanë opinion pozitiv për punën e SPAK. Njerëzit e thjeshtë shohin se SPAK po lëviz sepse më para kapte ndonjë zyrtar të vogël aty këtu, gjatë këtyre 3 viteve të fundit po çon në gjykatë njerëz të rëndësishëm, flitet që do çojë një ish-president dhe ish-kryeministër tjetër.
Nga ç’po thuhet, se njerëzit e thjeshtë nuk janë juristë, përshembull sondazhin nga Konispoli në Vermosh morëm njerëz të thjeshtë sipas vendit, moshës, gjinisë. Duke e përmbledhur, këta njerëz të thjeshtë duke ndjekur lajmet, 70% e tyre sot kanë vlerësim pozitiv për punën e SPAK. Ardhja e Dumanit e ka rritur ritmin e punës në SPAK”, tha Zaloshnja.