Ministri për Punët e Jashtme Igli Hasani, për 75-vjetorin e krijimit të NATO-s, dha një mesazh të rëndësishëm nga Brukseli.
Hasani tha se ky vit ka po ashtu me rëndësi për Shqipërinë, pasi mbushen 15 vjet që nga anëtarësimi i vendit në Aleancë, ndërsa theksoi se kemi kontribuar vit pas viti në këtë aleancë.
Mesazhi i plotë i ministrit Hasani
Viti 2024 shënon një moment të rëndësishëm historik për NATO-n. Më 4 Prill, Aleanca jonë feston 75-vjetorin e saj. Ky vit paraqet një rëndësi të veçantë për Shqipërinë, pasi mbushen 15 vjet nga anëtarësimi i vendit tonë në Aleancë, në vitin 2009.
75 vitet e fundit janë një dëshmi e fuqisë dhe dhe qëndrueshmërisë së NATO-s. Aleanca jonë është përshtatur vazhdimisht me ndryshimin e peizazheve gjeopolitike, duke shfaqur qëndrueshmëri dhe fleksibilitet. E forcuar më tej nga bashkimi i kohëve të fundit i aleatëve tanë më të rinj: Suedisë dhe Finlandës, NATO sot qëndron si një garantues i palëkundur i sigurisë kolektive për të gjithë aleatët e saj, e gatshme të qëndrojë e tillë edhe për shumë dekada të tjera.
Përballë agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe përshkallëzimit të kërcënimeve globale të sigurisë, rëndësia e NATO-s nuk ka qenë kurrë më e theksuar sa sot. Për Shqipërinë, data 1 Prill 2009, shënon një moment kyç në historinë tonë dhe një afirmim të aspiratave tona për të krijuar një shtet modern demokratik. Anëtarësimi në NATO për ne nuk ishte thjesht për të përfituar siguri; ishte gjithashtu për rrënjosjen e vendit tonë mes familjes demokratike, perëndimore të kombeve.
Në vitet që pasuan, ne kemi bërë maksimumin për të kontribuar në Aleancë, duke luajtur një rol të rëndësishëm, proaktiv në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tonë dhe duke kontribuar në misione dhe operacione në të gjithë globin.
Teksa përkujtojmë këtë moment historik, ne do të vazhdojmë kontributet tona për Aleancën tonë me të njëjtin përkushtim dhe entuziazëm të palëkundur që kemi treguar që nga dita e parë, në kërkim të paqes, sigurisë dhe prosperitetit.