Nga Ermir Kurtishi/

REZULTATI NGA RRETHI I PARË ZGJEDHOR

Në Zgjedhjet e 25 majit për Kryetar të Republikës, ku garuan shtatë kandidatë, arritën këtë rezultat zgjedhor: Stevo Pendarovski: 180.500 vota apo 19,92%; Gordana Siljanovska-Davkova: 363.086 vota apo 40,08%; Stevço Jakimovski: 8.121 vota apo 0,90%; Bujar Osmani: 121.088 vota apo 13,37%; Biljana Vankovska Cvetkovska: 41.331 vota apo 4,56%; Arben Taravari: 83.393 vota apo 9,20% dhe Maksim Dimitrievski: 83.856 vota apo 9,26%.

Sipas nenit 81 të Kushtetutës së RMV-së, në rrethin e dytë votohet për dy kandidatët të cilët kanë fituar më së shumti vota në rrethin e parë, që do të thotë, se më 8 Maj, kur edhe janë përcaktuar Zgjedhjet për Kryetar të Republikës së bashku me ato Parlamentare, beteja do të zhvillohet mes Stevo Pendarovskit dhe Gordana Siljanovska-Davkova, dallimi mes të cilëve është 182.586 vota, për dallim nga zgjedhjet e kaluara të mbajtura më 21 prill 2019, ku dallimi në rrethin e parë ishte vetëm 4.606 vota në favor të Stevo Pendarovskit.

RMV-ja përgjatë historisë së saj me Zgjedhjet për Kryetar të Republikës ka parë dallime edhe më të mëdha si ajo e vitit 1994 mes kandidatit Kiro Gligorov dhe Lubisha Georgievski me 516.593 vota; Tito Petkovski dhe Boris Trajkovski në vitin 1999 me 124.508 vota; Branko Crvenkovski dhe Sasho Kedev në vitin 2004 me 64.689 vota, ajo e Gjorge Ivanovit dhe Lubomir Frçkovskit në vitin 2009 ka qenë 142.003 vota dhe ajo e Gjorge Ivanovit me Stevo Pendarovskin 122.935 vota.

Ajo që bie në sy është rezultati i dobët i Stevço Jakimovskit, i cili edhe përkrah që mori 10.000 nënshkrime nga ana e qytetarëve për kandidaturën e tij, në këto zgjedhje nuk arriti që t’i tekalojë më shumë se rreth 8 mijë vota, edhe atë vetëm 2.000 në Komunën e Karposhit, ku është kryetar dhe rritja enorme e Maksim Dimitrievskit, i cili ka shënuar rezultat më të lartë se Arben Taravari, i cili është në koalicion me tre parti politike.

DALJA E VOGËL, FAKT QË DUHET LEXUAR

Për dallim nga viti 2019, kur u shënua edhe dalja më e ulët në historinë e vendit në Zgjedhjet për Kryetar të Republikës, këtë vit ka pasur rritje prej 6.56%. Në këto zgjedhje, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 828.402 votues të regjistruar apo 48,38% dhe natyrisht ky është një fakt që duhet lexuar drejt.

Njëra prej shkaqeve që ka pasur dalje të ulët të votuesve, fillimisht ka të bëjë me vetë personalitetin e kandidatëve dhe me zhvillimin e deritanishëm të politikave të kësaj qeverie. Nga kjo duket edhe humbja e madhe e kandidatit të LSDM-së, Stevo Pendarovski, i cili u bë viktimë e politikave të partisë së tij, si pasojë e premtimeve të shumta që nga ardhja në pushtet në vitin 2016 e këndej dhe prej tyre, shumë pak janë realizuar. Andaj, jo rastësisht votat e kësaj partie si shenjë e pakënaqësisë, u kanalizuan tek ish partiaku i tyre, Maksim Dimitrievski.

Çështja tjetër që rezultoi në mosdalje në zgjedhje dhe në goditjen e kandidatit, Pendarovski, kryesisht ka të bëjë Marrëveshja me Bullgarinë dhe disponimi pozitiv për ndryshimet kushtetuese, ku bullgarët do të përfshihen në Preambulën e Kushtetutës së RMV-së, për dallim nga kundërkandidati i tij, Siljanovska-Davkova, që është më e konzervuar në këtë aspekt, e cila vlerëson se këto procese politike, duhet të zhvillohen në kushte të caktuara. Për Kryetarin aktual, Pendarovski, arsyet konsistojnë diku tjetër dhe faji e gjen në numrin e madh të kandidatëve mes të cilëve janë shpërndarë votat e supozuara.

Faktori tjetër, ka të bëjë me situatën e përgjithshme politike, juridike dhe ekonomike në vendin tonë, ku gjithçka e ka humbur sensin e zhvillimit të një jeteje normale. Kriza financiare dhe diferencimi shoqëror është gjithnjë e në rritje.

RMV-JA PËR HERË TË PARË NË HISTORINË E SAJ, DO TË KETË KRYETAR NJË GRUA?!

Republika e Maqedonisë së Veriut, në Zgjedhjet për Kryetar të Republikës të shtatat me radhë, do ta zgjedhë kryetarin e gjashtë me radhë pas Kiro Gligorovit (1991-1999); Boris Trajkovskit (1999-2004); Branko Crvenkovskit (2004-2009); Gjorge Ivanovit (2009-2019) dhe Stevo Pendarovskit (2019).

Funksioni i Kryetarit të Republikës, në përgjithësi ka treguar efikasitet më të madh në kuadër të kompetencave, kur Kryetari i Republikës me Kryetarin e Qeverisë, kanë qenë nga provinienca të ndryshme partiake dhe politike, pra, me rastin e kohabitimit. Kjo mund të vërehet edhe në përdorimin e vetos presidenciale. Përjashtim këtu bën Stevo Pendarovski, i cili së fundmi e përdori veton presidenciale për ta rikthyer Ligjin për Lojërat e Fatit në Kuvend, të propozuar nga partia e tij, LSDM dhe BDI. Kjo mbase e imponon nevojën për gjetjen e një kandidati i cili do të ishte i pavarur dhe mbipartiak për t’i ushtruar kompetencat e tij në mënyrë të pavarur pa qenë i ndikuar nga partitë politike të cilët i promovojnë dhe i zgjedhin. Se sa janë të lidhura me partitë, kjo duket edhe nga deklarata e kandidates aktuale, e cila pas shpalljes së rezultateve nuk harroi ta falënderojë partinë e cila e ka kandiduar dhe anëtarët e saj: “Krenare jam për qytetarët. Jo vetëm për ato që më kanë votuar, por edhe të tjerët. Veçanërisht jam krenare me anëtarët e VMRO-DPMNE-së për shkak të mbështetjes. Krenare jam me ekipin tim, vazhdimisht ka qenë me mua, më brohorisnin, më kritikonin, më këshillonin…”.

Rezultati në rrethin e parë zgjedhor, është një indikator i fuqishëm për atë se kush do të jetë kryetari i ardhshëm i Republikës, por edhe formuesi i përbërjes së re qeveritare. Vetë fakti që më 8 Maj kemi zgjedhje të dyfishta, kjo do të thotë që kërkohet dhe pritet një pjesëmarrje më e madhe në votime nga ana e qytetarëve, por, ajo që parashikohet është se rezultati mes dy kandidatëve në rrethin e dytë, vështirë se do të jetë i ndryshueshëm. Dallimi i madh i votave, e pasqyron pakënaqësinë e qytetarëve ndaj kësaj Qeverie dhe njëkohësisht e shpërfaq fotografinë e fituesit në rrethin e dytë. Këtë bindje e ndan edhe kandidatja, profesoresha Siljanovska-Davkova: “…veçanërisht jam krenare me gratë në Maqedoni, pavarësisht përkatësisë etnike. Mendoj se është koha për identifikimin e gruas me gruan, pavarësisht cilës parti dhe ideologji i përket. Shumë gëzohem që këto ditë takoj gra nga parti të ndryshme që më thonë se po vjen koha jonë. Nuk do të ndërtojmë matriarkat, por do të tregojmë që kemi në vete dituri, mençuri, energji, kreativitet dhe se është e rendit që kjo shoqëri ta shfrytëzojë krejt këtë…”. Ajo që është e rëndësishme, uroj që mos të ngelë vetëm në nivel të deklaratave, por të dëshmohet edhe në vepra është ajo që e thekson profesoresha në fjalë se do të bashkëpunojë me partinë që e ka mbështetur, por do të bashkëpunojë edhe me opozitën dhe sektorin joqeveritar, për këtë edhe thotë se: “…por, e di se atë që e premtoj edhe e realizoj. Për këtë të jeni të sigurt që ditën e parë… Vazhdimisht kam thirrur në sundimin e së drejtës, por më shumë në nevojën e bashkimit në këtë shtet. Unë do të bashkëpunoj me partinë që më ka mbështetur, por do të bashkëpunoj edhe me opozitën dhe sektorin joqeveritar. Do të tregoj dhe do ta dëshmoj se këtu jam për shkak të Maqedonisë, se dua të jenë krenare me mua, sepse unë do ta tregoj atë se Maqedonia duhet të jetë e ngjajshme me shtetet e tjera demokratike…”. Kjo është shumë me rëndësi nëse arrihet të realizohet edhe pse nga përvoja me këtë parti politike dhe me kandidatin e saj, Gjorge Ivanov, jemi ndarë të pakënaqur, pikërisht për shkak të premtimeve të mëdha për t’u transformuar më pas në një dëgjues dhe nënshtrues të madh ndaj partisë që e kandidoi dhe kundërshtues i hapur i opozitës, duke e thyer baraspeshën politike, si me rastin e mbajtjes së fjalimit në Kuvendin e RMV-së më 18 dhjetor 2012, kur e hidhëroi opozitën e atëhershme, LSDM, e cila krijonte pengesa në Kuvend, përkatësisht e pengonte shumicën parlamentare në sjelljen e Buxhetit për vitin 2013, që pastaj kulminoi me ngjarjen e 24 dhjetorit. Mjafton të merret shembull figura e Gjorge Ivanovit, se si nuk duhet të jetë një Kryetar i Republikës. Duke ju drejtuar opozitës së asaj kohe në lidhje me sjelljen e Buxhetit për vitin 2013 pati thënë: “Nuk mundet e gjithë shoqëria, me të gjitha nevojat e saj, të jetë peng i sjelljes së papërgjegjshme. Nëse do të ndodh, për shkak të sjelljes së papërgjegjshme politike, që Maqedonia të durojë dëm ekonomik, me cilën fytyrë nesër do të dilni që ta kërkoni besimin e qytetarëve”.

Me këtë rast, siç thekson edhe profesori i së drejtës kushtetuese, Svetomir Shkariqi për Gjorge Ivanovin, kjo vlen edhe për kandidaten Gordana Siljanovska-Davkova: “si jurist, me siguri e njeh mekanizmin e funksionimit të demokracisë parlamentare, të përshkruar nga profesori gjerman, Karl Levenshtajn. Si politolog, me siguri shumë mirë e njeh balansin mes opozitës dhe shumicës parlamentare, si dhe të drejtën e opozitës për obstruksionin e paraparë në Rregulloren e Kuvendit. Si intelektual, në mënyrë të përsosur e di se intelektualiteti i një burrështetasi dhe një njeriu të caktuar më tepër tregohet përmes afërsisë së tij me opozitën, sesa përmes mbështetjes së shumicës parlamentare dhe Qeverisë. Pas fjalimit në Kuvend, opozita e vlerësoi paraqitjen e tij me fjalët në vijim: “Ivanovi veproi jo si Kryetari i Shtetit, por, si hije e besueshme e kryeministrit Gruevski”.

Nëse në zgjedhjet e 8 Majit, arrin që ta merr besimin e shumicës së qytetarëve të këtij vendi, kështu duke u bërë kryetarja e parë grua, uroj që të gjitha këto t’i ketë parasysh, e cila jam i bindur se i di më mirë se gjithkush tjetër, sepse është profesoreshë e së drejtës kushtetuese, intelektuale, ashtu që, pritet të gjitha njohuritë e saj t’i zbatojë në pavarësinë e këtij funksioni, të veprojë si Kryetar i Republikës, e jo si hije e besueshme e VMRO-DPMNE-së dhe Mickovskit.