Autoriteti Palestinez më 2 prill zyrtarisht ka kërkuar që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të rishikojë aplikimin e tij të bërë më 2011 që të bëhet anëtar me të drejta të plota në këtë trup botëror.
I dërguari palestinez në OKB, Riyad Mansour, në fillim të javës i tha agjencisë Reuters se qëllimi ishte që Këshilli i Sigurimit të marrë një vendim më 18 prill, kur mbahet takimi ministror për Lindjen e Mesme.
Megjithatë, një datë për votimin për këtë çështje ende nuk është caktuar.
Në këtë tekst mund të mësoni detajet për një anëtarësim të mundshëm të Autoritetit Palestinez në Kombet e Bashkuara.
Palestinezët janë shtet joanëtar vëzhgues në Kombet e Bashkuara, duke pasur statusin e njëjtë sikurse Selia e Shenjtë.
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi njohjen de facto të shtetit sovran të Palestinës në nëntor të vitit 2012. Me këtë gjë, OKB-ja ngriti statusin vëzhgues në “shtet joanëtar” nga “entitet”. Për këtë votuan 138 vende për, nëntë ishin kundër dhe 41 abstenuan.
Shtetet që synojnë t’iu bashkohen OKB-së zakonisht paraqesin aplikimin para sekretarit të përgjithshëm të OKB-së. Ai më pas ua dërgon atë Këshillit të Sigurimit, të përbërë nga 15 anëtarë, të cilët e vlerësojnë dhe votojnë për të.
Mansour i dërgoi një letër sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, më 2 prill duke kërkuar rishikimin e aplikimit palestinez nga Këshilli i Sigurimit.
Palestinezët kishin aplikuar për anëtarësim me të drejta të plota në OKB më 2011.
Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, ka konfirmuar se Guterres e ka dërguar letrën e të dërguarit palestinez tek anëtarët e Këshillit të Sigurimit.
Një komitet i Këshillit me 15 anëtarë fillimisht vlerëson aplikimin për të parë nëse plotëson kërkesat për anëtarësim në OKB. Më pas, aplikimi ose mund të paraqitet para Këshillit të Sigurimit për votim zyrtar ose të hidhet poshtë. Miratimi i tij kërkon të paktën nëntë vota për dhe asnjë veto.
Fuqinë e vetos në OKB e kanë Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca dhe Britania.
*Video: A mund të ketë në të ardhmen një shtet palestinez?
Nëse Këshilli e miraton kërkesën për anëtarësim, atëherë procedura kalon në Asamblenë e Përgjithshme për miratim. Një kërkesë për anëtarësim kërkon mbështetjen e dy të tretat e anëtarëve të Asamblesë. Një shtet nuk mund të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara pa marrë miratimin në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme.
Një komitet i Këshillit të Sigurimit të OKB-së kishte vlerësuar për disa javë aplikimin palestinez për të parë nëse përmbushte kërkesat për anëtarësim në OKB. Por, komiteti nuk ishte në gjendje të arrinte një qëndrim unanim dhe Këshilli i Sigurimit kurrë formalisht nuk votoi për një rezolutë për anëtarësimin e palestinezëve.
Diplomatët thanë se palestinezët nuk mund të arrijnë minimumin prej nëntë votave për të miratuar rezolutën. Edhe nëse do të kishin mbështetjen e mjaftueshme, SHBA-ja ka thënë se do të vendosë veto.