Premier League e futbollit në Angli vijon më raundin e 35-të. Kjo e dielë sportive nisi në orën 15:00, aty ku Arsenali fitoi 2-3 në udhëtim kundër Tottenham në derbin e Londrës veriore duke mbajtur kreun e tabelës. Po në këtë orar Bournemouth fitoi 3-0 kundër Brighton. Manchester City luan kundër Nottingham në shtëpinë e këtyre të fundit duke nisur nga 17:30.
Në “Tottenham Stadium”, Spursat vendas u mundën 2-3 nga Arsenali. “Topçinjtë” e Artetas treguan cilësi në fushë duke bërë që të jenë sërish prijës në tabelën e klasifikimit. Ndeshja nisi “zjarr” për Arsenalin që shënoi tre gola në pjesën e parë.
Fillimisht ishte Hojbjerg në minutën e 15-të që shënoi autogol, teksa Saka në 27′ dhe Havertz në 38′ trefishuan për djemtë e Artetas. Në fraksionin e dytë gabimi i portierit Raya bëri që Romero të rihapte ndeshjen me golin e tij. Në fund kishte vend edhe për golin e Son, teksa Tottenham nuk mundi të dalë me pikë nga shtëpia. Kështu Spurs me 60 pikë mbajnë vendin e pestë, shtatë pikë dhe dy ndeshje më pak se Aston Villa që është në pozitën e katërt. Arsenal me 80 pikë është në krye, duke ndjerë presionin e Cityt.