Nga Artur Ajazi/
Nuk ikin për asnjë arsye. Nuk largohen, edhe sikur të bëhet qameti, edhe sikur të ndodhë kataklizmoja. Erdhën, zunë vendet, vunë pasurira, blenë poste dhe ofiqe, bënin aleanca, koalicione, po bëjnë federata, por nuk kanë ndërmend të largohen. Këta janë politikanët e plakur në karrige, kolltuqe dhe poltrone zyrash dhe ministrish. Janë gërrmadha e klasës së vjetër politike, që çdo 4 vjet qysh nga 1991 deri sot, nuk ikin, por qasen, afrohen, prezantohen si “risi, si e ardhmja, si ndryshimi”, dhe po e mbajnë peng jo politikën, por të ardhmen e vendit. Ne i pamë, jetuam me ata, i panë dhe jetuan edhe fëmijët tanë me të njëjtët emra, me të njëjtët mëkatarë të pandëshkueshëm, por po jetojnë edhe ai brez që po lind pas vitit 2020 në vazhdom.
Edhe foshnjet po mësohen me emrat e tyre, me egërsinë e shfaqur nga ata në ekrane dhe salla parlamenti, apo bulevarde qytetesh. Si ka mundësi të ndodhë kjo gjë në një vend demokratik, anetar i NATO-s, aspirant i BE-së, si ka mundësi të ndodhë kjo gjë me klasën politike të një vendi që përjetoi per 45 vjet monizmin, pasi gërrmadhat e politikës sotme, të kujtojnë byroistët e asaj kohe. Ata nguleshin dhe nuk iknin derisa ti ndëshkonte partia, ose të plakeshin deri momentin e fundit mbi kolltukun e zyrës. Por , a mund të lindë diçka e re, mbi gërrmadha ? Natyrisht që jo. Nuk mund të lindë asgjë mbi të vjetrën, aq më tepër kur bëhet fjalë për ndryshime politike, apo për afrimin e të rinjve, dhe vendin e tyre e kanë zënë gërrmuqët.
Eshtë paradoksale, e papranueshme për çdo politikan apo klasë politike të çdo vendi europian, ajo që po ndodh tek ne. Politika gërrmuqe, ka zaptuar partitë, zyrat, vendet bosh në tryeza politike dhe publike, ka zaptuar shanset e çdo intelektuali për tju qasur politikës, apo për të dhënë kontributet e veta atje. Partitë e vjetra, po tentojnë që me gërrmuqër, të prezantohen si “ndryshimi, progresi, e ardhmja”. Dhe kjo është e tmerrshme. Prej 33 vitesh, “ata po i punojnë qindin” kur thotë populli, këtij vendi. Po e çorodisin opinionin publik, po largojnë prurjet e reja, po e mbajnë partinë si çiflik të trashëgueshëm, po mblidhen në tryeza dhe salla konferencash duke mos pyetur shumë për qeratë e tyre pasi kanë thasët plot me para. Dhe me këtë rezyme kaq të varzhdë, politika e sotme e gërrmuqërve, po kërkon të futet edhe në zgjedhjet e reja të 2025.
As nuk i bën syri “tërr”, dhe as nuk stepen kur deklarojnë se “ne jemi e ardhmja, ne do ta futim Shqiperinë në BE, dhe jo Edi Rama, ndaj na votoni ne, o popull”. Dhe pastaj thonë se “Rama po e plak Shqipërinë”, kur ata kanë 33 vite, që po plakin dhe gërrmuqin politikën e këtij vendi, si aksesi kryesor i progresit, emancipimit, dhe integrimit të vendit. Gallata më e madhe, do të jetë pas 2025, kur sërish gërrmuqët e partive, humbjen do ta justifikojnë me “vjedhje votash”, kur duhej të ishin larguar me kohë nga skena politike.