Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në emisionin ‘3D nga Alban Dudushi’ në RTSH deklaroi se “Trekëndëshi i Bermudës” i ka bërë dëme të mëdha Shqipërisë. Sipas tij, koncepti “Trekëndëshi i Bermundës” fillimisht erdhi si metaforë dhe jo si reflektim personal.
“Shqipëria, ekonomia, e ardhmja e vendit, nuk mund të jenë në mëshirën e një trekëndëshi që ka diktuar dhe ka bërë dëme të mëdha. Metafora qëndron. Duhet të mbyllim derën e tranzicionit që edhe gjeneratat e reja të shqiptarëve, ashtu si fqinjët tanë, të gëzojnë një kulturë të re politike, ekonomike dhe komunikimi. Në publik nisem të ruajë normat e sjelljes dhe etikës. Nuk më shoqëron gjithnjë kjo qetësi. Por e mira është që duhen administruar emocionet. Nuk është vetëm çështje PD-së, çështja e mungesës së një kulture politike.”, tha Basha.

Basha: Ky 2-vjeçar ka qenë i tmerrshëm për PD-në

Sipas tij, 2 vitet e fundit kanë qenë të tmerrshëm për PD-në dhe kjo më shumë për fajin e familjes së demokratëve.
“Por shërbeu edhe si një moment reflektimi, për të dalë nga bataku ku gjendet. Nëse përkufizojmë berishizmin si dukuri post diktatoriale, ku skemat e vogla dominuan mbi interesat e mëdha, kulti i individit, vendosja e institucioneve në funksion të njëshave, është sëmundje e shoqërisë shqiptare  dhe e demokracisë sonë, jo vetëm e PD-së. Është një sfidë për të gjithë shoqërinë. Parlamenti është diktuar nga listat e mbyllura. Duhet lindur një kulturë e re politike evropiane mbi kultin e individit. Kjo lidhet me shumë personazhe kryesore politike. Ne po përpiqemi për një kulturë të re politike një sfide e madhe, por i jemi përveshur kësaj me pasion.”, tha Basha.

Basha: Distancimi nga Berisha duhej bërë. Kemi dale të humbur, por kemi mësuar

Kreu i PD-së pati edhe një debat me gazetaren Anila Basha e cila deklaroi se Basha bëri një listë me 52 deputetë, ndërsa tani i kanë mbetur vetëm 7 dhe kjo mund të interpretohet edhe si dështim.
Por Basha theksoi se nuk dëshiron të hyjë në debate numrash sa i përket deputetëve pasi ka dhe më shumë, dhe nga ana tjetër nënvizoi se nuk ishte i papritur fakti që të kishte jo pak problematika brenda grupit parlamentar, duke pasur parasysh vendimin që të pezullonte Berishën nga ky grup.
“Vendimi ka qenë shumë i vështirë. Mund të bënim edhe që të “fshiheshim pas gishtit”. E dyta, donte kurajo. Ishte një vendim i vështirë sepse kishim të bënim me një personazh që kishte qenë dy herë president e kryeministër. Ne e kemi marrë vendimin dhe në bashkëpunim me partnerët amerikanë. Kam ushtruar kompetencat si kryetar i PD-së. Ai u pezullua nga grupi parlamentar dhe nuk e përjashtoi njeri nga PD, as nga Këshilli Kombëtar. E dimë shumë mirë se cilat ishin pasojat nga SHBA, duhen thënë gjërat troç. Nga ky proces kemi dalë të humbur me numra, por nuk kemi humbur për vlerat që mbart PD. Tani PD-ja po ecën drejt një reformimi. Në politika ka gjëra shumë të paparashikueshme. Ra gjylja dhe pati efekte. Disa humbën toruan, disa nuk u orientuan. Kontakti me amerikanët ka qenë i pandërprerë. Deputetët mbajnë qëndrimet e tyre. Ka nga ata deputetë që kanë më shumë shqetësim fatin e tyre si deputetë se sa Shqipërinë. Të hynë me listën e Berishës dhe me logon e Metës në Kuvend”, tha Basha.