-Ditën e sotme është përkujtuar masakra e Peshkëpisë. Gjatë ceremonisë fjalën e ka marrë vëllai i të ndjerit Fatmir Shehu, një prej pjesëmarrësve. Shehu shprehet ka 30 vjet që pret të zbardhet e vërteta dhe vijon duke bërë thirrje në emër të famijes “Dua drejtësi”. Pas thirrjes së tij dëgjohen thirrjet e banorëve, “Beleri kriminel”.
“Vrasja e Fatmir Shehut ka mbetur pa materiale. Për 30 vjet kaloi 20 gjyqtarë dhe nuk knë gjetur ende asnjë gjë. Dua drejtësi! Dua të falenderoj për respektin dhe për ardhjen, edhe që për 30 vjet më kanë shoqëruar në Peshkëpi.”-shpreht i vëllai i Shehut.
Sulmi, ndaj një reparti kufitar pranë fshatit Peshkëpi të Dropullit, katër kilometra brenda kufirit shqiptar, solli vrasjen e dy ushtarakëve shqiptarë dhe plagosjen e tre të tjerëve. Ai nisi herët në mëngjesin e 10 prillit 1994 dhe u mor përsipër nga formacioni paraushtarak i një grupi nacionalist grek që kërkonte bashkimin e një pjese të Shqipërisë së Jugut me Greqinë. Pika kufitare e Peshkëpisë kishte në ato kohë 130 rekrutë të rinj dhe të paarmatosur.
Ai formacion paraushtarak, i vetëquajtur Komandoja “Pirro I”, e quante veten krah i armatosur i lëvizjes për çlirimin e Vorio Epirit (MAVI). Ajo kishte zgjedhur si moment të duhur për të sulmuar, kohën kur i gjithë reparti kishte rënë në gjumë.
Në ora 02ː40 të mëngjesit, grupi i armatosur, tetë vetë me uniforma të ushtrisë greke dhe me maska, hynë në repart dhe vrasin ushtarin e rojes Arsen Gjini nga Semani. Pastaj dy persona me uniformë dhe maska hynë në korridorin e kazermës. Komandanti i stërvitjes, Fatmir Shehu, u foli të panjohurve, duke u kërkuar të kursenin ushtarët, por ata e qëlluan me armë duke e lënë të vdekur. Ajo njësi plagosi edhe tre ushtarë shqiptarë. I mbyllën 130 ushtarët në një dhomë, ndërsa dy oficerë të tjerë i izoluan në një zyrë tjetër. Flisnin greqisht. “Këto i keni për Vorio Epirin”, kanë thirrur ndërsa gjuanin.
Ky ishte versioni zyrtar i shtetit shqiptar.
Gazeta “Elefterotipia” tha se vrasja u mor përsipër nga MAVI.
Në traktin e organizatës “MAVI” i botuar nga shtypi grek, shkruhej: “Në janar 1994, organizata patriotike MAVI, pasi studioi me kujdes kushtet dhe operacionin që do të kryente , i dha urdhër njërës prej skuadrave të saj të armatosura që të godiste një repart ushtarak shqiptar pranë vijës kufitare. Në orët e para të datës 10 prill, ditë e diel, në bazë të informatave të dhëna nga “Seksioni i mbledhjes së informatave”, skuadra Pirro, e përbërë nga një grusht luftëtarësh, gjendjej në pozicionin e vrojtimit të objektit, në një kodër aty pranë. Sulmi filloi me kapjen e rojes dhe brenda dy minutash, godina dykatëshe e stërvitjes në Peshkëpi ishte në duart e luftëtarëve tanë. Skuadra e mbajti repartin për 20 minuta. Duke ikur, mori me vete 15 automatikë tip Kallashnikov të prodhimit kinez, dy arka me municion, si dhe oficerin e SHIK-ut, të cilin pak më vonë dhe të lidhur me pranga, e la të lirë. Sulmi ynë, si dhe të tjerët që do të pasojnë, ishte një veprim luftarak.”
Masakra e Peshkëpisë u pasua me një ngritje të marrëdhënieve diplomatike mes Greqisdë dhe vendit tonë. Qeveria shqiptare protestoi në Këshillin e Kombeve të Bashkuara, ndërsa pala greke u mundua ta kalonte në qetësi. Përveç luftës diplomatike, policia greke arrestoi dy nga të dyshuarit, mirëpo ata morrën dënime të vogla nga gjykata.
Gazeta “Stoho” ishte e para lajmëroi kete sulm.