Analisti Ben Andoni ka komentuar në Report Tv sulmin e Iranit me mbi 300 dronë e raketa ndaj Izraelit. Andoni thotë se Irani ka kohë që turbullon ujërat në Lindjen e Mesme, ndërsa thekson se sulmi ishte paralajmëruar më herët nga autoritetet amerikane.

“Irani ka aleancë me Rusinë, ka marrëdhënie shumë të mira me Kinën, ka edhe forca të tjera që kanë më dytësore, por kanë forcë të madhe. Irani ka kohë që turbullon ujërat në Lindjen e Mesme. Ka një lloj motivimi për shkak të situatës së palestinezëve, Palestina është në një moment që ka ndryshuar ekuilibrat e brishtë që janë vendosur në botë.

Izraelit i është dashur të përgjigjet ndaj ambasadës në Damask, ku janë vrarë zyrtarë ushtarake të Iranit. Kundërpërgjigja ka ardhur ishte e paralajmëruar, ishte e thënë nga autoritetet amerikane”, tha Andoni.

Analisti Andoni tha për Report Tv se nuk beson që Irani të vazhdojë me sulmet ndaj Izraelit.

“Dje ka pasur një lloj feste nga militantët në Iran për sulmin. Më pak se gjysma e iranianëve morën pjesë në zgjedhje, kupton shumë mirë që publiku nuk është aq shumë dashur me këtë pjesë militante të qeveritarëve. Ka një dualitet shumë të madh sa i përket propagandës dhe realitetit. Nuk besoj se Irani tani shpejt do vazhdojë sulme ndaj Izraelit, e para se s’do të harxhojë energji, do shohë më kujdes atë se çfarë do rrjedhë nga lufta Rusi-Ukrainë. I duhet të masë forcat me kujdes”, u shpreh Andoni në një intervistë për Report Tv.

Tensionet në Lindjen e Mesme, sipas Andonit rrezikojnë edhe Kosovën, duke u ndalur edhe në raportet e afërta të Serbisë me vendet e lindjes.

“Ne jemi të prekur direkt te ajo se çfarë mund të ndodhë në Kosovë. Është e dukshme, e para nga aleanca e të gjitha këtyre vendeve. E dyta nga krijimi i një tregu të madh lindor, që do të balancojë dollarin. E kanë të vështirë për momentin, por në momentin që ti fillon të funksionosh kupton që je në një varkë. Serbia po bën përpjekje të përfshihet në këtë iniciativë për të krijuar një treg të përbashkët. Nëse keni parë me kujdes lajmet për Ukrainën janë më të zbehta dhe lajmi më shqetësues ishte i Trump, që tha se ndihmën për Ukrainën do e japim përmes kredive.

Kupton edhe ashpërsimin e gjuhës së Serbisë dhe pengesat për çdo gjë që po ndodh në Kosovë. Po patrullojnë në veri, retorika e tyre është një retorikë që duket se nuk pranon asgjë”, vijon Andoni.

Ai thotë se bota është afër Luftës së Ftohtë.

“Jemi më afër asaj Luftës së Ftohtë, ku do ndahemi me dy fronte. Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj, me perëndimin. Prej tyre kemi ndihmat më të mëdha, NATO është një kriter sigurie”, tha analisti Andoni.