Dy të rinjtë, “ushtarë” të Nuredin Dumanit dhe të skuadrës së vrasësve me pagesë e jo vetëm me pagesë, por edhe për hakmarrje, kanë dalë para Gjykatës së Apelit të Posaçëm.

Ata kanë tentuar të ndryshojnë vendimin e shkallës së parë të kësaj gjykate, por vetëm njëri ka përfituar një vit ulje dënimi, ndërsa për personin tjetër Apeli nuk ka bërë asnjë lëshim. Bëhet fjalë për Xhuliano Hoxhën, personin që merrte porosi te Nuredin Dumani dhe të tijtë për të realizuar këqyrjen e shënjestrave të tyre e për pasojë brenda një harku të shkurtër kohor u vranë në derën e shtëpisë Emiljano Ramazani dhe u masakrua në mënyrë makabre Regis Runaj.

Euglent Halili, i riu që ishte dhe veproi nën urdhrat e Hoxhës, u bë dëshmitari i parë i rëndësishëm i drejtësisë sonë për grupet e killerave, por GJKKO në shkallën e parë i dha 17 vjet burg, çka Apeli vendosi të ia ulte një vit. Kështu Apeli la në burg përjetë Xhuliano Hoxhën dhe me 16 vite burg Euglen Halilin, për dy vrasje te bujshme në Elbasan. Mbi Hoxhën dhe Halilin rëndojnë akuzat për vrasjen e Emiljano Ramazani më datë 20 korrik 2020 në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan dhe të vrasjes së Regis Runaj më datë 29 korrik 2020 në lagjen “Emin Matraxhiu”, në afërsi të varrezave të qytetit Elbasan. Vuajtja e dënimit për të pandehurin Xhulian Hoxha do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit të tij dhe do të kryhet në një nga institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së lartë. Ndërsa vuajtja e dënimit për të pandehurin Euglen Halili do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit të tij dhe do të kryhet në një nga Institucionet EVP, sipas marrëveshjes me Drejtorinë e Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë.

Ngjarjet brenda 9 ditëve

Atentati mafioz ku mbeti i vrarë Emiljano Ramazani ndodhi më 20 korrik të 2020, ndërkohë që i gjithë vendi ishte i izoluar nga pandemia, skuadrat e vrasësve vepronin të lirë të papenguar nga asnjë masë ndalimi. Vrasja u krye në afërsi të shtëpisë së tij, teksa Ramazani po parkonte automjetin tip “Ford Fokus”, pasi kishte dalë nga palestra. Autorët u tha se qenë tre veta në makinë dhe njëri prej tyre ka zbritur në tokë dhe ka qëlluar 5 herë me armë tip pistoletë, armë që më vonë u gjet në servisin e familjes Manhasa, megjithëse në makinë u gjetën dy kallashnikovë të djegur. Vrasja e Emiljano Ramazanit, i njohur me nofkën ‘Rramani’, dyshohet se ka ndodhur për larje hesapesh për drogën, pasi ai njihej si shpërndarës kokainë në qytet, ndërsa pak ditë pas vrasjes së tij u gjet i vrarë edhe miku i tij i ngushtë Regis Runaj, 23 vjeç, i vrarë me thikë, dhe më pas trupi i tij është hedhur buzë rrugës afër varrezave të qytetit, një rrugë qorre ku nuk kalojnë njerëz. Kjo i ka ndihmuar autorët që të mos lënë gjurmë pasi kanë vrarë Runajn.

Vendimi

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trupë gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar) dhe Igerta Hysi (anëtar), sot më datë 08.04.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 12 akti, datë 23.01.2024 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe ankimet e paraqitura nga ankuesit/të pandehurit E.H. dhe Xh.H., kundër vendimit nr. 64, datë 11.10.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur: “Deklarimin fajtor të të pandehurit Xh.H., për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, për interes, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atij të grupit të strukturuar kriminal, në dëm të viktimës E.R., parashikuar nga neni 78 paragrafi 2 i Kodit Penal, në lidhje me nenet 28 pika 4 dhe 334 pika 2 të po këtij Kodi, dhe dënimin e tij me 30 (tridhjetë) vjet burgim. Deklarimin fajtor të të pandehurit Xh.H., për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, për interes, në formën e veçantë të bashkëpunimit, atij të grupit të strukturuar kriminal, e kryer me egërsi dhe mizori, në dëm të viktimës R.R., parashikuar nga neni 78 paragrafi 2 i Kodit Penal, në lidhje me nenet 28 pika 4, 50 shkronja “c” dhe 334 pika 2 të po këtij Kodi, dhe dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Xh.H., për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/4 i Kodit Penal, në lidhje me nenet 28 pika 4 dhe 334 pika 1 të po këtij Kodi, dhe dënimin e tij me 7 (shtatë) vjet. Deklarimin fajtor të të pandehurit Xh.H., për kryerjen e veprës penale “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi 2 i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim. Bazuar në nenin 55 paragraf 2 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri Xh.H. dënohet me burgim të përjetshëm. Bazuar në nenin 33 të Kodit Penal, si dhe nenin 15 të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, vuajtja e dënimit për të pandehurin Xh.H. do të fillojë të llogaritet nga dita e arrestimit të tij dhe do të kryhet në një nga Institucionet për të dënuarit e rritur dhe të sigurisë së lartë!/PANORAMA