210 bursa studimi me vlerë mujore sap aga minimale janë vënë në dispozicion të universiteteve për degët prioritare
 
Tiranë, 4 Prill – Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu zhvilloi një takim me studentët e degëve prioritare të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT), të cilët kanë përfituar nga Programi i Mbështetjes me Bursa sa paga minimale.
Ministrja Manastirliu tha se Universiteti Bujqësor i Tiranës ka përfituar mbështetje financiare me bursa 40,000 lekë/muaj për 80 studentë, duke theksuar vijimësinë e mbështetjes për degët që konsiderohen si me interes strategjik.
 
“Tashmë janë bërë efektive 210 bursa sa paga minimale që janë vënë në dispozicion të Universiteteve tona, 80 prej të cilave janë bursa që janë përfituar nga Universiteti Bujqësor i  Tiranës dhe pikërisht në degët e studimit sikurse është Inxhinieria Agrare, Inxhinieria Pyjore, Biomarina, Akuakultura dhe degë të tjera të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe zhvillimet territoriale në tërësi.  Bursat sa paga minimale përfitohen që nga momenti kur ju keni filluar studimet tuaja dhe kështu do të vijojë përgjatë gjithë muajve të studimit.”,  tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
 
Në fokus të degëve prioritare për këtë vit janë Inxhinieria Agrare me profile të ndryshme, Biologjia Marine dhe Akuakultura, Shkencat Mjedisore dhe shumë degë të tjera, që dëshmojnë gamën e gjerë të programeve që synojnë të përgatisin profesionistë të kualifikuar për sfidat aktuale dhe të ardhshme në sektorët përkatës.
 
“Bursat sa paga minimale janë një mbështetje për studentët, për programet tona me interes strategjik për vendin por kjo është dhe një garanci më shumë që nesër të kemi profesionistë të kualifikuar në këto fusha që janë me interes për sektorët zhvillimor, por gjithashtu janë me interes dhe për tregun e punës. Por nga ana tjetër kjo është një garanci për një punësim të sigurt nesër dhe me modalitetet e reja duam që edhe punësimin ta kanalizojmë në ato kritere të cilat të jenë më pas detyruese për struktura të veçanta të ekonomisë dhe institucioneve publike që pas përfundimit të studimeve tuaja të mundet t’iu rekrutojnë sipas të gjithë dispozitave ligjore por dhe rregullave institucionale.”, tha Manastirliu.
 
Përveç kësaj, UBT po përparon me hapa të sigurt në rrugën e ndërkombëtarizimit, duke u bërë partner strategjik me Universitetin e Burimeve Natyrore dhe Shkencave të Jetës (BOKU) të Vjenës. Ky bashkëpunim, përmes një projekti 4-vjeçar, synon të sjellë një reformë rrënjësore në universitet, duke përmirësuar kurrikulat dhe duke iu përgjigjur nevojave reale të tregut. Ndaj, Ministrja Manastirliu vuri theksin dhe te rëndësia e programeve të përbashkëta dhe diplomave dyfishe të universiteteve tona me institucione të njohura ndërkombëtare, duke u siguruar studentëve një perspektivë globale dhe mundësi të mëdha për zhvillim profesional.