Triumfi i madh që opozita në Turqi e arriti në zgjedhjet lokale e kanë rritur mundësinë që presidenti i kamotshëm, Recep Tayyip Erdogan, si dhe partia e tij në pushtet, të tërhiqen nga disa prej politikave më polarizuese të liderit populist, para zgjedhjeve të ardhshme pas katër vjetëve. Nuk ka dyshim se zgjedhjet e së dielës ishin goditje e rëndë ndaj Erdoganit dhe partisë së tij të orientuar kah islami, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, apo AKP, e cila i fitoi zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale vitin e kaluar.
Në votimin e së dielës, partia kryesore opozitare, Partia Republikane e Popullit, apo CHP, e mbajt pushtetin në Stamboll dhe në kryeqytet, Ankara, duke fituar bindshëm, por korri fitore edhe në provincat konservatore – si Adiyaman dhe Kilis në jug – përveç komunave që i fitoi më 2019. Disa analistë thanë se rezultati i së hënës është paralajmërim dhe se ata presin që Qeveria e Erdoganit do ta ndjekë një rrugë të “normalizimit”, e cila përfshin edhe marrëdhënie më të mira me aleatët e NATO-s, si Shtetet e Bashkuara dhe shteti fqinj, Greqia – si dhe zhvillimin e programeve më pak armiqësore brenda vendit. Erdogani, i cili e ka udhëhequr Turqinë për më shumë se dy dekada – si kryeministër nga viti 2003 dhe si president nga viti 2014 – e pranoi disfatën në zgjedhje gjatë një fjalimi nga balloni i pallatit presidencial të dielën vonë, duke thënë se partia e tij ka pësuar “humbje të lartësisë” nëpër Turqi. Njerëzit dërguan një “mesazh” të cilin AKP-ja do të “analizojë” duke u angazhuar në vetëkritika “guximtare”, tha ai.
Seda Demiralp, profesoreshë e shkencave politike në Universitetin e Stambollit, Isik, tha se e kishte parashikuar një gjë të tillë kur Erdogani i mposhti pritjet për një fitore të opozitës në zgjedhjet e majit të kaluar, pas tërmetit shkatërrues që i vrau më shumë se 53.000 njerëz në jug të vendit. Me gjithë disfatën demoralizuese vitin e kaluar, CHP-ja e fitoi votën popullore në shumë qytete të mëdha tani. “Ky ishte paralajmërim”, tha Demiralp. “Pres që Erdogani të vazhdojë normalizimin… ose [AKP] do të vazhdojë të humbë”. Të tjerët që e përcjellin Turqinë nga afër, nuk mendojnë se Erdogani do të bëjë ndonjë kthesë të madhe, apo ndonjë ndryshim të madh në politikat e tij islamike konservatore. Por, ai mund ta ndryshojë tonin.
Wilfango Piccoli, presidenti i firmës konsultuese nga Nju Jorku, Teneo, sugjeroi se Erdogani mund t’i frenojë ndryshimet e planifikuara kushtetuese që në fokus kanë “vlerat familjare” dhe mbrojtjen, për shembull, të të drejtave të grave që duan të bartin shamitë e stilit islamik. Për shumë njerëz, këto ndryshime janë sulm ndaj të drejtave të komunitetit LGBTQ+. Prapëseprapë, “Erdogani do të vazhdojë me akomodim më të madh politik, duke qenë se nuk pajtohet për ndarje të pushtetit, si dhe nuk do ta zbusë retorikën polarizuese vetëm për shkak të kësaj disfate”, tha Piccoli. Në zgjedhjet e së dielës, opozita CHP i fitoi 35 prej 81 provincave të Turqisë – përfshirë pesë qytetet më të mëdha të vendit – ndërsa AKP-ja e Erdoganit i fitoi 24 qytete. Ozgur Unluhisarcikli, drejtor i Fondacionit gjerman Marshall në Ankara, i cilësoi rezultatet si të paprecedente për Erdoganin.
Dalja në zgjedhje ishte rreth 78 për qind, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, Anadolu, krahasuar me 87 për qind në zgjedhjet e vitit të kaluar. “Turqia është e gatshme për ndryshime”, tha Unluhisarcikli. Zgjedhjet u mbajtën në një kohë krize të vazhdueshme të kushteve të jetesës, pasi votuesit turq përballet me një inflacion vjetor që ka arritur në 67 për qind në shkurt. Ndërkohë, Erdogani ka lejuar rritjen e kostos së huamarrjes deri në 50 për qind, në përpjekje për ta luftuar rritjen e madhe të çmimeve.
Erdogani është ithtar i moçëm i një politike jotradcionale të uljes së ratave të interesit për ta luftuar inflacionin dhe i kishte shkarkuar guvernatorët e bankës qendrore, të cilët i kundërshtuan politikat e tij për uljen e ratave. Shumë njerëz i fajësojnë metodat e pazakonta të Erdoganit për krizën ekonomike në Turqi. Komentuesit thonë se, megjithëse kriza ekonomike nuk ndikoi në popullaritetin e Erdoganit në zgjedhjet nacionale të vitit të kaluar, votuesit e AKP-së ishin më të prirë ta shprehnin pakënaqësinë e tyre kur emri i tij nuk ishte në fletëvotim. “Mendoj se votuesit turq ia dërguan një mesazh të qartë Erdoganit, se mjaft është mjaft”, tha Berk Esen, profesor i shkencave politike në Universitetin e Stambollit, Sabanci.
Megjithëse Stambolli, ku Erdogani u lind dhe u rrit dhe e nisi karrierën politike, shihej si fushëbeteja kryesore në zgjedhje, opozita e mbajt pushtetin në këtë qytet. Në juglindje, partia prokurde për Barazi dhe Demokraci i fitoi 10 provinca, pavarësisht shumë viteve shtypje gjatë të cilave kryetarët komunalë kurdë largoheshin nga detyra dhe u zëvendësonin me të përzgjedhurit e Qeverisë, si dhe mijëra aktivistë politikë arrestoheshin. Partia aleate e Erdoganit, Lëvizja Kombëtare, apo MHP, i fitoi tetë provinca. Partia e Re për Mirëqenie, apo YRP, e cila garoi kundër AKP-së për ta fituar mbështetjen e votuesve konservatorë, i fitoi dy provinca.
Ata që prisnin që opozita të paraqitej dobët në zgjedhjet e së dielës, mbetën të tronditur. Një ndryshim në lidership në CHP pas zgjedhjeve të vitit të kaluar – 75-vjeçari Kemal Kilicdaroglu u zëvendësua nga 49-vjeçari Ozgur Ozel – duket se e ringjalli partinë dhe i hapi rrugën kryetarëve në detyrë të CHP-së dhe kandidatëve të tjerë të korrin fitore gjithëpërfshirëse. Analistët i krahasuan kandidatët e fuqishëm të opozitës – si Ekrem Imamoglu në Stamboll dhe Mansur Yavas në Ankara – me ata të AKP-së, të cilët ishin lënë nën hije nga Erdogani gjatë fushatës.
Imamoglu fitoi me një dallim prej më shumë se 11 pikëve, ndërsa Yavas me një dallim prej gati 29 pikëve ndaj rivalit të tij nga AKP. Ky rezultat mund ta pozicionojë Imamoglun si një kandidat të mundshëm për president më 2028, pavarësisht një rasti të rëndësishëm ligjor, i cili mund ta pezullojë atë nga politika. “Lidershipi po bëhet më i rëndësishëm se partitë dhe ideologjitë, posaçërisht në një vend si Turqia ku institucionet janë të dobëta dhe njerëzit lidhen me liderëve në vend të partive”, tha Demiralp.
Në rrugët e Stambollit kishte ndjesi të përziera, ku shumë njerëz e lartësuan triumfin e opozitës, por të tjerët u shprehën të shqetësuar për shkak të krizës ekonomike dhe vështirësive ditore. “U zgjuam në një ditë të mirë”, tha mbështetësja e opozitës, Ayse Poplata, duke shtuar se rezultati do “të jetë i dobishëm për vendin”.
Hicabi Pekdemir, 54 vjeç, tha se votoi kundër AKP-së së Erdoganit, duke cituar rritjen e gjashtëfishtë të qirasë së tij në dy vjetët e fundit.
“Unë jetoj vetë dhe kam dy fëmijë, si do t’ia dalë?” tha ai. Fatma Hanedar, 42 vjeçe, tha se ndihet e “shkatërruar dhe shumë e zemëruar” nga rezultati i zgjedhjeve dhe shtoi se votuesit treguan “aq mosmirënjohje” për lidershipin e Erdoganit për ta rimëkëmbur Turqinë nga pandemia COVID-19 dhe përpjekjeve të tij për ta rindërtuar vendin nga tërmeti i vitit të kaluar. “Falë Zotit presidenti jonë është ende në krye”, tha një mbështetës tjetër i AKP-së, Husamettin Ezer, 52 vjeç.