Sinan Vllasaliu, Soni Malaj, Don Phenom dhe të tjerë këngëtarë shqiptarë janë arrestuar nga Policia në Zvicër. Gazeta ‘Insajder‘ raporton se shkak është bërë një “BajramParty” që ishte planifikuar të mbahej me 13 prill në Zvicër ku do performonin emra të njohur të muzikës shqiptare.
Eventi dështoi, pasi policia zvicerane ka hyrë në kontroll duke arrestuar këngëtar të njohur të skenës muzikore. Të arrestuarit ishin: Sinan Vllasaliu, Soni Malaj, Don Phenom, Eugena Aliu të cilët janë mbajtur për 48 orë nga policia zvicerane.
Këngëtari Labinot Rexha, i cili parashikohej të këndonte, ka treguar se kishte nënshtetësi zvicerane prandaj për të policia nuk ka paraqitur problem, duke e lënë të lirë.
“Kam nënshtetësi zvicerane, ka qenë një kontroll e përgjithshme e policisë së Zvicrës edhe në klube të tjera. Pas orës 23:00 ka hyrë kontrolla. Kur kam dal jashtë kam pa afro 150 policë që kontrollonin. Më kontrolluan edhe mu, unë kam të drejtë të punës. Të Tjerët Sinan Vllasaliu, Soni Malaj, Don Phenom, Eugena Aliu, ata i kanë marrë mbajtur për 48 orë së bashku me pronarin. Diskoteka është duke vazhdu me punë“, tha Rexha. Ai u bëri apel kolegëve të tij që mos të përdorin vizat turistike për të punuar sepse do ndëshkohen me ndalesë për 10 vjet që të shkojnë në Zvicër për të performuar.
“Ata që po mendojnë liberalizimi i vizave është edhe me punu janë gabim. Nuk ke drejtë me punu në Zvicër. Aty duhet një muaj më parë të merrni leje për vizë punë dhe ta paguani tatimin. Nëse hasin në kontroll ata më nuk kanë drejtë të performojnë edhe për 10 vite tjera“, tha ai.