Dështojnë sërish bisedimet për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, asnjëra palë nuk heq dorë. Izraeli dhe Hamasi kishin 48 orë për t’iu përgjigjur planit të armëpushimit të paraqitur nga ndërmjetësit të dielën. Të dyja palët janë nën presion të madh dhe asnjëra nuk duket e gatshme të largohet e para nga tavolina e bisedimeve.

Plani nga SHBA, Egjipti dhe Katari kërkon një armëpushim gjashtë-javor, një shkëmbim pengjesh izraelitë dhe të burgosurve palestinezë, një rritje të ndihmave humanitare që hyjnë në enklavën palestineze dhe kthimin e banorëve të Gazës veriore në shtëpitë e tyre, sipas një burimi të Hamasit.

Në terma afatgjatë, plani parashikon lirimin e të gjithë pengjeve, si dhe një numër të paspecifikuar të burgosurish palestinezë.

Gjithashtu parashikon tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës dhe heqjen e rrethimit, i cili është vendosur që nga viti 2007, dhe marrjen e pushtetit në enklavë nga Hamasi.

Që nga e diela, njoftimet jozyrtare, shpeshherë kontradiktore, pasojnë njëra-tjetrën. Për Hasni Abidi nga Qendra Kërkimore për Botën Arabe dhe Mesdhetare në Gjenevë “negociatat janë në një ngërç”.

Megjithatë, askush nuk është larguar nga tavolina e bisedimeve.

“Hamasi po shqyrton propozimin,” tha ditën e djeshme zëdhënësi i tij.

Në qendër të kërkesave të lëvizjes islamike palestineze është një armëpushim i përhershëm. Një kërkesë e papranuar në këtë fazë nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili kërkon të shkatërrojë Hamasin.

Lideri i Hamasit, Ismail Haniya, siguroi se vdekja e tre djemve të tij në një bastisje izraelite dje në Gaza nuk do të ndryshojë kërkesat e organizatës.

Ndërsa Uashingtoni përpiqet të shmangë përshkallëzimin në Liban, Siri dhe Iran, sulmi izraelit në konsullatën iraniane në Damask javën e kaluar rrezikon të ndryshojë atë strategji të Uashingtonit.

Ditën e djeshme, përballë kërcënimeve për sulm ndëshkues të Iranit kundër Izraelit, Joe Biden përsëriti se mbështetja e tij për Izraelin është e palëkundur.

“Irani po kërcënon të nisë një sulm të madh kundër Izraelit. Siç i thashë kryeministrit Netanyahu, angazhimi ynë për sigurinë e Izraelit përballë këtyre kërcënimeve nga Irani dhe aleatët e tij është i palëkundur”, tha presidenti amerikan.

Megjithatë, qeveria Netanyahu po përballet edhe me zemërimin e familjeve, të cilat kërkojnë kthimin e 129 pengjeve. Nga ana tjetër, një marrëveshje armëpushimi mund të shpërbëjë koalicionin qeverisës izraelit.

Së fundi, kryeministri izraelit e ka kthyer këtë fushatë ushtarake në një “çështje personale”. Për Hamasin, zbatimi i një armëpushimi do të ishte, përkundrazi, një fitore simbolike. Pasi do të lejonte gjithashtu të “riorganizojë dhe të nisë sulme kundër ushtrisë”, sipas Omer Dostri nga Instituti i Jerusalemit për Strategjinë dhe Sigurinë (JISS).

“Qëllimi i Hamasit është të marrë kohën e duhur, duke shpresuar se presioni ndërkombëtar do të shërbëjë për t’i dhënë fund luftës”, tha ai. Per Hasni Abidin, një armëpushim do të përmirësonte imazhin e Hamasit me popullsinë e Gazës.

Edhe pse Netanyahu premton një të ardhme pa Hamasin në Rripin e Gazës, lëvizja islamiste “po kërkon të përmirësojë imazhin e saj dhe të përgatitet për epokën e pasluftës”.