Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë nderime te memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.
Osmani deklaroi për mediat se sot është një ndër ditët më të dhimbshme të Kosovës.
“Sot shënojmë 25-vietorin e masakrës më të madhe të kryer kundër shqiptarëve në Kosovë, në luftën e fundit, pra në masakrën e Mejës. Po ashtu, i bashkohem dhimbjes së të gjithë familjarëve të të zhdukurve me dhunë, që mungesa është e papërshkrueshme, dhimbje që ta shpon shpirtin, sepse familjarët e të zhdukurve ende nuk kanë ku ta vendosin një lule”, deklaroi presidentja.
“Serbia flen mbi varreza mazive, dhe bën krim të dyfishtë, sepse kreu krimin, dhe është duke fshehur krimin edhe 25 vite pas. 1600 të zhdukur, janë familjarë të gjithë Kosovës. Plaga do të mbetet e hapur derisa të kthehen të gjithë”, potencoi ajo.
Presidentja Osmani tha se pas anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, familjarët e të zhdukurve do të munden të paditin Serbinë në gjykatat evropiane.
“Pas anëtarësimit në KiE, të gjitha familjet do të kenë qasje në gjykatat evropiane për të paditur Serbin, dhe shumë të drejta tjera. Nga anëtarësimi i Kosovës, përfitojnë të gjithë, por më së shumti familjarët e personave të zhdukur”, tha ajo.