Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtje Sociale në bashkëpunim me Këshillin e Europës dhe përfaqësinë e Delegacionit Europian në Tiranë, organizuan sot Dialogun për Integrimin e Romëve ku merrnin pjesë Ambasadori i Delegacionit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, autoritete qendrore dhe vendore, përfaqësues të trupit diplomatik, organizata ndërkombëtare, shoqërisë civile, studentë dhe aktivistë romë.

Në fjalën e saj, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu evidentoi të dhënat e Progres Raportit të vitit 2023 për Shqipërinë, ky vlerësohet se vendi ynë ka bërë progres në rritjen e aksesit të komunitetit rom dhe egjiptian ndaj shërbimeve shëndetësore bazë, përfshirë shërbimet e shëndetit riprodhues.

“Është shënuar progres sa i përket gjithpërfshirjes sociale. Është rritur numri i të punësuarve nga ky komunitet në administratë si dhe është rritur aksesi në arsim, sidomos në atë parauniversitar, kjo edhe falë bursave dhe financimit të librave apo transportit në zonat rurale”, tha ministrja.

Ajo nënvizoi se fuqizimi ekonomik dhe punësimi janë kusht për të avancuar në luftën kundër margjinalizimit dhe diskriminimit të komunitetit rom dhe egjiptian.

Koçiu u shpreh se nëpërmjet Fondit të Punësimit, të gjithë punëkërkuesit romë dhe egjiptianë kanë marrë shërbime punësimi dhe ndërmjetësimi nga zyrat rajonale të punësimit si dhe janë regjistruar në qendrat e formimit profesional.

“Kjo ka kualifikuar shumë anëtarë të këtij komuniteti në përputhje me nevojat e tregut, prandaj synimi ynë është që ta fuqizojmë akoma më shumë këtë histori suksesi. Gjithashtu, është përgatitur korniza ligjore për lançimin e Garancisë Rinore, gjithashtu një mekanizëm shtesë ky i ngritur në bashkëpunim me Bashkimin Europian, i cili synon nxitjen e mëtejshme të punësimit të të rinjve, përfshirë edhe të rinjtë të komunitetit rom dhe egjiptian”, deklaroi ministrja.

Nën moton “Askush të mos mbetet pas”, ministrja bëri me dije zbatimin e një programi për fuqizimin e dijeve dixhitale të të rinjve. “Rritja e dijeve dixhitale do të na japë absolutisht mundësinë për të krijuar më shumë akses në tregun e punës”, vijoi ajo.

Duke vënë në dukje se familjet rome dhe egjiptiane mbështeten nëpërmjet skemës së Ndihmës Ekonomike dhe përfitojnë shërbime sociale të integruara, ministrja nënvizoi se “qasja e strategjisë së re të Mbrojtjes Sociale 2024-2030 është t’i ndihmojmë këto familje të dalin nga situata e nevojës ekonomike, duke mos kursyer asnjë instrument për të garantuar punësimin dhe kualifikimin e tyre në përputhje me nevojat e tregut”.

Gjithashtu, Koçiu përmendi edhe programet paralele në fushën e shëndetësisë që kontribuojnë në ngushtimin e hendekut të aksesit në shërbime.

“Mbulimi Universal Shëndetësor për të gjithë, programet imunizuese dhe depistuese kanë targetuar direkt komunitetin rom dhe atë egjiptian”, theksoi ajo.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu përfundoi duke duke theksuar angazhimin për përmbushjen e objektivave të Deklaratës së Poznanit duke ofruar mbështetjen e duhur dhe promovuar përfshirjen e pakicave kombëtare rome dhe egjiptiane në të gjitha sferat e shoqërisë.