Jadon Sancho, 23 vjeç, u kthye në janar te Borussia e Dortmundit në formë huazimi nga Manchester United, pas një ndarjeje të hidhur me trajnerin Erik ten Hag.
Trajneri i “Djajve të Kuq” e kishte përjashtuar Sanchon nga të gjitha ambientet stërvitore të ekipit të parë pasi lojtari foli kundër tij në rrjetet sociale. Prandaj vendimi për ta huazuar atë ishte më i miri për të gjitha palët.
Futbollisti i kombëtares angleze ka luftuar për t’iu kthyer formës së tij dhe në muajt e parë të vitit i ka shfaqur cilësitë e tij. Drejtuesit e Dortmundit dëshirojnë ta blejnë përfundimisht kartonin e tij, por nuk është e thënë që në “Olt Trafford” do të jetë të gatshëm të negociojnë për një shifër që do të ishte ndjeshëm më e ulët nga ajo që u pagua për ta transferuar në Premier League.Sipas asaj që raportohet nga Manchester Evening News, në fakt, nëse Manchester United do të emërojnë, siç edhe pritet, Jason Wilcox si drejtor teknik, Sanchos mund t’i jepej një shans tjetër. Wilcox e njeh mirë sulmuesin britanik, me të cilin ka punuar në Manchester City Academy.