Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Paris me ftesë të presidentit Emmanuel Macron.

Gjatë konferencë së përbashkët në Pallatin Elysee, Macron ka mbajtur një fjalim me mesazhe për Serbinë dhe Kosovën.

Presidenti francez theksoi se “çështja e Kosovës është një premtim dhe një peng për të ardhmen e rajonit” dhe se e gjitha është e përfshirë në marrëveshjen “e lidhur një vit më parë”.

“Franca do të sigurohet që çdo hap i asaj marrëveshjeje të përmbushet”, tha Macron.

Ai po ashtu deklaroi se:“Është e nevojshme që pjesëmarrësit për sulmet në Banjska të mbajnë përgjegjësi dhe një dramë e tillë të mos përsëritet.”

“Dëshiroj gjithashtu që Prishtina të respektojë zotimet e saj, si dhe që zgjedhjet të respektohen me legjitimitet të plotë demokratik, veçanërisht në komunat me shumicë kryesisht serbe”, tha presidenti francez.