Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ka dalë me një reagim zyrtar pas deklaratave të Albana Vokshit në lidhje me zjarrin që ra dy muaj më parë në urgjencën e QSUT, e cila është ende jashtë funksionit. QSUNT shpreh keqardhje për deklaratat e pavërteta në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, të cilat afektojnë drejtpërdrejtë pacientët dhe shëndetin e tyre. Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, sa i takon deklaratave të bëra nga anëtarët e komisionit për ndërprerje të energjisë elektrike në një prej godinave të këtij spitali sqaron si më poshtë vijon:

Në datë 5 Prill, në orën 1:30 të mëngjesit, punonjësit teknikë të shërbimit 24 orësh kanë konstatuar luhatje të energjisë elektrike pranë Shërbimit të Reanimacionit Qendror. I menjëhershëm ka qenë reagimi i teknikëve shtesë të gatishmërisë të QSUT-së të cilët në bashkëpunim me Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike i kanë dhënë zgjidhje kësaj problematike duke bërë të mundur rikthimin e furnizimit me energji elektrike dhe normalizimin e situatës. QSUNT sqaron opinionin publik se nuk ka asnjë të vërtetë sikurse është raportuar ditën e sotme për humbje jete të pacientëve dhe se shërbimi ndaj tyre nuk është cenuar në asnjë moment.