Për të ishte çështje nderi. Ai, 22 vjeç nga Somalia dhe ajo, dy vjet më e vogël nga Suedia. Mohamedamin Abdirisek Ibrahim, vrau të dashurën e tij, Saga Forsgren Elneborg, e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë.

Ai nuk dinte, si t’ia prezantonte nënës së tij zonjën e tij që ishte shtatzënë me frytin e dashurisë së tyre, një “grua të bardhë me një kulturë tjetër?”

Sipas një njoftimi të policisë suedeze, 20-vjeçarja Saga u gjet e mbytur në shtëpinë e saj, që ndodhet në qytetin Örebro, dy orë larg kryeqytetit të vendit, Stokholmit.

Siç raporton gazeta britanike Daily Mail, prokurorët pretendojnë se i dashuri 22-vjeçar, e vrau vajzën me kordonin e llambës që ndodhej në dhomën e saj në prill të vitit 2023, pasi e konsideronte të turpshme ta prezantonte ate me familjen muslimane si nëna e ardhshme e fëmijës së tij.

Familja e Sagës argumentoi, përmes avokatit të tyre, se kishte qenë një pritje e gjatë dhe e dhimbshme, pasi vetëm një javë më parë 22-vjeçari somalez u akuzua për vrasjen e saj – dhe jo për vrasjen e fëmijës së tyre të palindur.

Policia publikoi një raport prej 1000 faqesh që përfshinte foto të skenës së krimit në dhomën e gjumit me trupin e vajzës të shtrirë.

Në të vërtetë, prokurorët thanë se i dyshuari somalez mendonte se takimi me një grua “të bardhë” “nuk ishte e drejtë” sepse ajo “nuk ishte e së njëjtës kulturë me të”. Ai fshehu lidhjen e tij dyvjeçare nga mamaja e tij, thjesht sepse ajo nuk do ta pranonte Sagën si nuse.

Sipas aktakuzës, prokurorja Elisabeth Anderson argumentoi se “Mohamedamin Abdirisek Ibrahim vrau Saga Forsgren Elneborg pasi e mbyti me një kordon llambe”.