Vendimi i gjykatës federale në Australi, që “urdhëron” platformën e mediave sociale X të hiqte pamjet e sulmit në një kishë në Sidnei, nuk është pritur mirë nga CEO i kompanisë, Elon Musk.
Multimiliarderi deklaroi se në “emër të lirisë së shprehjes” do të apelojë vendimin e gjykatës.
Gjigandi i rrjeteve sociale ka bllokuar postimet për përdoruesit australianë, por komisioneri i sigurisë i Australisë ka vendosur që përmbajtja duhet të hiqet tërësisht nga X pasi është veçanërisht e dhunshme.
“A mendon kryeministri se ai duhet të ketë juridiksion mbi të gjithë Tokën?” pyeti Musk në një postim, duke iu referuar kryeministrit australian Anthony Albanese.
Nga ana tjetër, Duke folur për televizionin amerikan ABC, kreu i qeverisë australiane e quajti Musk si një miliarder arrogant që beson se është mbi ligjin.
“Ideja që dikush mund të shkojë në gjykatë për të pasur të drejtën për të transmetuar përmbajtje të dhunshme në një platformë tregon se sa larg është Musk me realitetin”, shtoi Albanese.
Gjykata federale e Australisë i ka kërkuar X që të mos shfaqë videot e sulmit me thikë nga një adoleshent 16-vjeçar në një kishë. Në këto video, i riu shihet duke goditur me thikë një peshkop asirian gjatë shërbimit që u transmetua drejtpërdrejt në internet.