Lidhur me aksidentin me 8 të vdekur të ndidhur në aksin Kylcyrë-Përment, është identifikuar drejtuesi i ndjerë i automjetit. Raportohet se ai është Edison Bregaj. Mjeti me emigrantë të paligjshëm është aksidentuar dhe për pasojë kanë humbur jetën 7 klandestinët, si edhe drejtuesi i mjetit nga Shkodra. Mjeti me të cilin udhëtonin 8 viktimat është shkatërruar plotësisht teksa ka përfunduar në lumin Vjosa.
Dinamika e ngjarjes është ende e paqartë, por dyshohet se patrulla e policisë pikasi mjetin e dyshimtë afër Këlcyrës rreth orën 02:00, por drejtuesi i ‘Benz’-it refuzoi që të ndalonte për kontroll. Pas ndjekjes nga policia, duket se automjeti ka humbur gjurmët, ndërsa pas shumë kontrolleve u verifikua se ‘Benz’-i kishte përfunduar në shtratin e lumit Vjosë.
Ndërkohë, raportohet se mjeti ka qenë me shpejtësi tejet të lartë, me mbi 200 km/orë, duke bërë që drejtuesi të humbiste kontrollin dhe të ‘fluturonte’ rreth 300 metër në vijë ajrore nga rruga drejt lumit. Shpejtësia e lartë e mjetit konfirmohet edhe nga fakti se para momentit fatal ‘Benz’-i nuk është përplasur me bordurën metalike të rrugës, por ka përfunduar në shtratin e lumit.